E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata i jep 11 vite burg kazakut të kapur me heroinë

VENDIMI
Aleksandros Zeitinidis, 47 vjeç, u kap vitin e kaluar me 6 kile heroinë dhe 6 kgh marijuanë


TIRANË- Gjykatës së Krimeve të Rënda në kryeqytet, iu deshën disa muaj shqyrtim gjyqësor për t'u bindur se kazakistanasi me pasaportë greke Aleksandros Zeitinidis, 47 vjeç, ka konsumuar elementët e veprës penale të "trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike" në bashkëpunim, duke u shpallur fajtor e duke u dënuar për këtë akuzë me 11 vjet heqje lirie. Vendimi u dha dje nga trupa e Gjykatës së Krimeve të Rënda, që shqyrtoi dosjen e organit të akuzës.


Sipas vendimit të dhënë pasditen e djeshme, 47- vjeçari Zeitinidis, 7 prillin e vitit 2008 ka tentuar të kalonte nga Shqipëria në Greqi rreth 12 kg lëndë narkotike, nga të cilat 6.2 kg ishin heroinë dhe 5.57 kg të tjera ishin marijuanë.


"Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, ku janë dëgjuar palët në proces, si përfaqësuesi i akuzës, mbrojtësi ligjor i të pandehurit dhe vetë 47- vjeçari Aleksandros Zeitinidis si dhe pas shqyrtimit të provave materiale e dëshmive të sjella nga palët, është provuar se i pandehuri Zeitinidis ka konsumuar veprën penale të "trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike" në bashkëpunim.


Këtë vepër penale, i pandehuri Zeitinidis e ka kryer pasditen e datës 7 prill 2008 teksa po tentonte të kalonte në pikën e kalimit kufitar të Kakavijë për në territorin grek me makinën e tij tip "Toyota" me targa greke "IHP 8033", brenda së cilës kishte fshehur 12 kg lëndë narkotike.


Droga e vendosur në 36 pako, ishte ndarë në 6.2 kg heroinë në 12 pako dhe 5.57 kg hashash në 24 pako dhe ishte fshehur poshtë dyshemesë së automjetit dhe sediljeve të shoferit e të pasagjerit në pjesën e përparme,- thuhet në dispozitivin e vendimit që e deklaroi fajtor shtetasin grek Zeitinidis me 11 vjet burg.


Emigranti 47-vjeçar Aleksandros Zeitinidis, lindur në Kazakistan por banues prej 17 vitesh në Athinë, tri ditë para arrestimit të tij, kishte hyrë në Shqipëri si turist, dhe kishte qëndruar në vende të ndryshme në qytetet e bregdetit.


Sipas vendimit, në momentin e parë të ndalimit shtetasi me pasaportë greke ka pranuar të bashkëpunonte me policinë për t'i dhënë kohë këtyre të fundit të kontrollojnë makinën, tek e cila kishte dyshime se ishte fshehur drogë.


Vetë i pandehuri Zeitinidis gjatë fazës së gjykimit ka mohuar të ketë pasur dijeni për drogën, ndërsa, prokurori i çështjes në leximin e konkluzioneve përfundimtare kërkoi dënimin e tij me 12 vjet burg. Në fund Gjykata e Krimeve të Rënda, i fali vetëm një vit burg kazakut me shtetësi greke, për krimin që akuzohej.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›