E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Vlerësojmë Ambasadën e SHBA-ve për mbështetjen ndaj Prokurorisë



Partia Socialiste ka përshëndetur deklaratën e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Xhon Uidhers. Kryetarja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, vlerësoi mbështetjen që ambasadori Uidhers po i jep Prokurorisë së Përgjithshme në situatën aktuale, ku ajo po sulmohet institucionalisht nga qeveria. “Në emër të Grupit Parlamentar të PS-së, për të shprehur edhe njëherë mbështetjen e plotë për deklaratën e ambasadorit amerikan z. Uidhers, bërë në Prokurorinë e Përgjithshme, si vijim i mbështetjes që ai si përfaqësues i shtetit amerikan, i bën demokracisë dhe institucioneve të pavarura në Shqipëri dhe në veçanti Prokurorisë, e cila është vënë rishtazi nën presionin e qeverisë. Shqetësimi i shprehur prej kohësh nga Partia Socialiste për tendencat uzurpuese të qeverisë ndaj institucioneve të pavarura duket se është kthyer në alarm jo vetëm për opozitën, por dhe për komunitetin ndërkombëtar që monitoron zhvillimet politike ne Shqipëri. Kjo situatë rëndohet më shumë kur edhe pas deklaratës së para dy ditëve të Ambasadës Amerikane, që kritikon ndërhyrjen e ministrit të Drejtësisë dhe atij të Brendshëm në punët e Prokurorisë, pasuar nga ajo e ambasadorëve të BE-së për të njëjtën çështje, qeveria dhe kryeministri dolën me tezën uzurpuse të ngritjes së dy komisioneve ndërkombëtare hetimi dhe një parlamentar për Prokurorinë. Ky qëndrim mospërfillës ndaj këshillave të ndërkombëtarëve çoi në reagimin e sotëm të ambasadorit amerikan. Kjo situatë e rënduar sjell reminishencat e viteve 1996-1997”, - tha Leskaj.

17 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›