E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kritere dhe kushte të reja për ata që kanë përfituar kredi shtetërore

Përcaktohet afat i ri për shlyerjen e kredisë nga debitorët. Lehtësitë që do t’u krijohen atyre që kanë marrë kredi për biznese ose për shtëpi

Laureta Rryçi

Tiranë - Mosshlyerja e kredive të hershme shtetërore rikthehet sërish në vëmendjen e qeverisë. Kësaj radhe është vendosur që të lidhet një kontratë e re me të gjithë debitorët, duke përcaktuar kështu një normë të re pagese për secilin debitor. Ndryshimet do të variojnë për debitorët në varësi të kërkesës që kanë bërë kur kanë marrë kreditë, si dhe pagesës që kanë bërë. Udhëzimi më i fundit ka përcaktuar si afat të fundit 30 prillin e 2009-s për të shlyer detyrimet dhe për të përfituar nga lehtësirat që janë menduar. Gazeta “Albania” sjell në numrin e sotëm kriteret dhe kushtet e reja që janë përcaktuar për të zbatuar të gjithë debitorët që kanë marrë kredi nga bankat e nivelit të dytë me kapital tërësisht shtetëror dhe tani i është lënë Agjencisë së Trajtimit të Kredive për zbatim.
Udhëzimi
Qeveria publikon udhëzim të ri për këto lloj kredish duke zbardhur kritere dhe kushte të reja për to. Sipas specialistëve, objekti i këtij udhëzuesi është përcaktimi i procedurave dhe i përgjegjësive që Agjencia e Trajtimit të Kredive duhet të ndjekë për të gjitha kreditë e transferuara nga bankat e nivelit të dytë me kapital tërësisht shtetëror në këtë agjenci. Ky ndryshim është bërë me qëllim bërjen efektive të skemës së ndryshimit të marrëveshjes së kredisë, nxitjen e realizimit të arkëtimeve deri më datën 30 prill 2009, për përcaktimin e procedurave për zëvendësimin dhe ekzekutimin e detyrueshëm të kolateralit. Për të trajtuar në mënyrë të barabartë debitorët, kriteret, kushtet dhe afatet e përfitimit të lehtësive ekonomiko-ligjore, janë grupuar sipas objektit dhe masës së vlerës së kredisë së mbetur e të pakthyer në afat. Pavarësisht nga afatet, kriteret dhe kushtet e ndryshme të parashikuara në kontratat e subjekteve kredidhënëse, për nga objekti i kredisë dhe mënyra e likuidimit të detyrimit për trajtimin e debitorëve është menduar të ndahen në dy grupe. Në grupin e parë të përfshihen kreditë e dhëna për biznese të ndryshme dhe në grupin e dytë kreditë e dhëna për banesa dhe përmirësim të kushteve të banimit. Nga ky udhëzim i ri nuk janë përfshirë kreditë e dhëna për debitorët nga INSIG-u.
Kreditë për biznese
Udhëzimi i ri ka përcaktuar kushte të reja për debitorët që kanë marrë kredi me objekt për të hapur biznese të ndryshme. Kësaj kategorie i është dhënë mundësia ose të paguajnë menjëherë shumën e mbetur pa shlyer, ose ta shlyejnë në këste deri në tre vjet. Në udhëzimin e ri është përcaktuar për debitorët me detyrim vetëm principal, në datën e transferimit nga bankat deri në 3 milionë lekë, falen të gjitha interesat, kamatëvonesat dhe gjobat e transferuara nga ish-bankat e nivelit të dytë dhe të llogaritura në ATK, deri në momentin e afrimit të debitorëve për likuidimin e menjëhershëm përfundimtar, por me një kusht që të afrohen për likuidim në ATK, jo më vonë se data 30.04.2009. Në këtë kategori përfshihen edhe të gjithë ata persona që kanë marrë kredi për blerjen e veglave ose makinerive bujqësore.
Kreditë për shtëpitë
Më shumë lehtësi janë parashikuar për këtë kategori debitorësh. Duke iu falur më shumë qoftë interesat, kamatëvonesat dhe gjobat. Në udhëzim është përcaktuar që më pak lehtësira do të kenë ata debitorë që jetojnë në qytetet e mëdha të vendit. Edhe kjo kategori është vendosur që mund ta shlyejë borxhin ose në mënyrë të menjëhershme, ose me këste deri në tre vjet.

Për likuidim të menjëhershëm dhe me këste të detyrimit me objekt kredi për biznese të ndryshme

Për debitorët me detyrim vetëm principal, në datën e transferimit nga bankat deri në 3 milionë lekë falen të gjitha interesat, kamatëvonesat dhe gjobat e transferuara nga ish-bankat e nivelit të dytë dhe të llogaritura në ATK, deri në momentin e afrimit të debitorëve për likuidimin e menjëhershëm përfundimtar, por me një kusht që të afrohen për likuidim në ATK, jo më vonë se data 30.04.2009. Llogaritja e detyrimit për t’u likuiduar bëhet duke zbritur nga shuma e principalit të transferuar, të gjitha arkëtimet e kryera nga momenti i transferimit të kredisë deri në momentin e paraqitjes për likuidim të menjëhershëm përfundimtar të detyrimit, por jo më vonë se data 30.04.2009, duke mos lejuar në asnjë rast të krijohet pozicion kreditor. Për kreditë e transferuara në valutë, konvertimi bëhet në kursin fiks të Bankës së Shqipërisë në momentin e transferimit.
Për debitorët që kanë marrë kredi për mekanikë bujqësore (autokombajna, traktorë, makineri e agregate bujqësore), prodhim dhe përpunim të produkteve bujqësore e blegtorale, linjë prodhimi dhe përpunimi të produkteve bujqësore dhe blegtorale dhe mjete të transporti, pavarësisht nga shuma e principalit të transferuar nga bankat falen të gjitha interesat, kamatëvonesat dhe gjobat, e transferuara nga bankat dhe ato të llogaritura gjatë trajtimit në ATK.
Për debitorët me objekt kredie biznese të ndryshme, që nuk bëjnë pjesë në grupet e trajtuara më lart dhe që në datën e transferimit të kredisë nga bankat, shumën e principalit e kanë mbi 3 milionë lekë, falen në masën 90 për qind interesat, kamatëvonesat dhe gjobat e transferuara nga bankat dhe të llogaritura nga ATK deri në datën e miratuar nga Drejtoria e ATK-së, për likuidim përfundimtar të detyrimit, duke u kërkuar debitorëve të likuidojnë menjëherë jo më pas se 40 për qind të principalit të transferuar apo të shumës së mbetur prej tij.
Llogaritja e detyrimit të ri do të realizohet duke zbatuar normën e interesit 10 për qind për kreditë në lekë dhe 5 për qind për kreditë në valutë, ndaj principalit të mbetur pas zbritjes ngas shuma e principalit të transferuar e të gjitha arkëtimeve të kryera nga data e transferimit të kredisë deri në momentin e paraqitjes së kërkesës për likuidim përfundimtar ose me këste, por jo më vonë se data e lëshimit të urdhër-ekzekutimit, kur ata janë trajtuar ligjërisht.
Pagesa e detyrimit të mbetur të kredisë mund të jetë e menjëhershme ose me këste deri në 3 vjet nga data e lidhjes së marrëveshjes së re.
Detyrimi i likuiduar përfundimisht ose me këste për tre vjet, në asnjë rast nuk mund të jetë më i vogël se detyrimi principal i transferuar nga bankat në ATK.
Debitori duhet të paraqesë kërkesën me shkrim për likuidim të menjëhershëm përfundimtar ose me këste të detyrimit brenda datës 30.04.2009, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të ATK-së ose pranë zyrës rajonale përkatëse të shoqëruar me dokumentin e identifikimit.
Për debitorët që kërkojnë të likuidojnë me këste detyrimin, në vendimin e Drejtorisë së Përgjithshme të ATK-së, përcaktohet: shuma e detyrimit për likuidimin me këste, afati i likuidimit deri në 3 vjet, numri dhe vlera për secilin këst që do të likuidojë debitori, pezullimi i veprimeve përmbarimore nëse ai është në ndjekje ligjore për shkak të kredisë së palikuiduar, kushte këto që pasqyrohen në lidhjen e një kontrate të re para një noteri ndërmjet ATK-së dhe debitorit.
Kur debitori ka likuiduar përfundimisht detyrimin, pajiset me “vërtetimin e likuidimit të detyrimit”, pushimin e veprimeve përmbarimore, si dhe çlirimin e barrës hipotekore, nëse ka lënë garanci.

Për ata që kanë marrë kredi për banesa ose për përmirësim të kushteve të banimit

Debitorëve që kanë marrë kredi për banesa ose për përmirësimin e kushteve të banimit me vendndodhje në rrethet e kategorisë së dytë dhe të tretë, interesat kamatëvonesat dhe gjobat u falen në masën 100 për qind.
Debitorëve që kanë marrë kredi për banesa ose për përmirësimin e kushteve të banimit në rrethet e kategorisë së parë u falen interesat, kamatëvonesat dhe gjobat në masën 80 për qind.
Falja bëhet me kusht që të shlyhet menjëherë, të paktën 40 për qind e principalit të transferuar apo të shumës së mbetur prej tij.
Periudha e pagesës së shumës së mbetur të kredisë nuk mund të zgjatet më shumë se 3 vjet, nga data e nënshkrimit të marrëveshjes.
Llogaritja e detyrimit të ri bëhet duke zbatuar normën e interesit të 10 për qind në vit për kreditë e dhëna në lekë dhe 5 për qind për kreditë e dhëna në valutë mbi principalin e transferuar ose principalin e mbetur, në përjashtim të kredive që në marrëveshjen ekzistuese të huas, norma e interesit është përcaktuar më e ulët.
Detyrimi i likuiduar përfundimisht, në asnjë rast nuk mund të jetë më i vogël se detyrimi principal i transferuar nga bankat e ATK-së.
Për të gjithë debitorët që afrohen brenda datës 30.04.2009 për të likuiduar detyrimin menjëherë ose me këste deri në 3 vjet, llogaritja e interesave për periudhën e transferimit të kredive nga ish-bankat e nivelit të dytë në ATK, deri në datën e miratuar për likuidim përfundimtar të tij, do të bëhet me normë interesi 10 për qind. Për rastet kur ka dalë urdhri i ekzekutimit, interesat do të llogariten deri në datën e shpalljes së tij.

17 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›