E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krerët e qeverive të BE-së miratojnë Paktin për Migrimin

Përfitimet e emigrantëve nga Pakti për Migrimin dhe Azilin. Dokumenti i Presidencës franceze të BE-së i është paraqitur edhe Shqipërisë

BRUKSEL – Pas Këshillit të Drejtësisë dhe të Çështjeve të Brendshme të BE-së (27 ministrat e Brendshëm të shteteve anëtare të BE-së), janë krerët e qeverive që i kanë dhënë miratimin përfundimtar Paktit Europian mbi Imigrimin dhe të Drejtën e Azilit. Ky vendim është marrë gjatë dy ditëve të fundit në Bruksel, vetëm tri javë pasi u shqyrtua propozimi nga ministrat e Brendshëm. Përmes këtij pakti, Bashkimi Europian dhe vendet anëtare të tij zotohen për një politikë të ndershme dhe të vazhdueshme në lidhje me sfidat dhe mundësitë që paraqet emigrimi. Autoritetet e Brukselit kanë nisur prej disa kohësh një sërë reformash dhe masash për imigrimin dhe azilimit, ku mes tyre është edhe përgatitja e Kartës Blu, e ngjashme me Green Card-in amerikan.
Miratimi i Paktit
Sipas deklaratës për shtyp të zyrës së Këshillit Europian, Pakti që tani e tutje do të krijojë bazat për BE-në dhe anëtarët e saj për një politikë të përbashkët imigrimi dhe azilimi në bashkëpunimin me vendet joanëtare, ku përfshihet edhe rajoni i Ballkanit. Kjo politikë e përbashkët do të ngrihet për menaxhimin e duhur të fluksit emigrues, jo vetëm në interes të vendeve ku shkojnë emigrantët, por edhe për vendet e origjinës, si dhe për vetë emigrantët. Parimet bazë që ka për qëllim Pakti janë pasqyruar në një seri masash, të cilat duhet të zbatohen menjëherë nga BE-ja dhe vetë shtetet anëtare. Për më tepër, këto parime gjithashtu do të përbëjnë programin e punës së BE-së në të ardhmen, i cili do të propozohet nga Komisioni Europian në muajin maj të vitit 2009 përmes një shqyrtim përfundimtar gjatë Presidencës suedeze të BE-së. Zbatimi i Paktit do të jetë në qendër të një debati vjetor, duke nisur me Këshillin Europian që nga qershori i vitit 2010.
Ministrat e Brendshëm
Ministrat e Brendshëm të BE-së miratuan në Bruksel më 26 shtator të këtij viti njëzëri “Paktin Europian mbi Migrimin dhe të Drejtën e Azilit”. Pakti i propozuar nga Presidenca franceze e radhës, duke qenë një prej përparësive të saj i kërkon dhe zoton shtetet anëtare të BE-së në organizimin e emigrimit të ligjshëm, duke pasur parasysh parësitë, nevojat dhe kapacitetet pritëse të tyret, duke mbështetur dhe favorizuar integrimin, veçanërisht të imigrantëve afatgjatë dhe duke parashikuar nxitje ekonomike për “migrimet e përkohshme qarkullues”, por duke vendosur “ekuilibrin e duhur mes të drejtave dhe detyrimeve të tyre”. Po kështu, do të shtohen kriteret mbi ribashkimet familjare, duke vlerësuar për shembull zotërimin e mjeteve të jetesës dhe pasjen e një strehimi të përshtatshëm. Theks të ri merr edhe lufta kundër imigrimit të parregullt, duke siguruar rikthimin e klandestinëve në vendet e tyre të origjinës, apo në ato të transitit, madje edhe përmes marrëveshjeve të ripranimit. Pakti u thotë jo rregullimeve masive të statusit të të parregullve, por lë shteg të hapur për rregullime statusi për persona që paraqesin motive humanitare. Për më tepër do të përforcohen kontrollet në kufij, duke fuqizuar agjencinë “Frontex” dhe duke përgjithësuar brenda vitit 2012 vizat biometrike.
Një objektiv tjetër është realizimi i një procedure unike për azilin, sikurse spikat me forcë realizimi i një partneriteti të mirëfilltë dhe efektiv me vendet e origjinës dhe të transitit, duke mbështetur sinergjitë mes migrimit dhe zhvillimit.
Shqipëria ka numrin më të madh të emigrantëve në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Mbi 1 milion shqiptarë jetojnë në Greqi, Itali, Francë, Belgjikë dhe shtetet e tjera të BE-së. Ata do të jenë përfitues të këtyre politikave nxitëse që po ndërmerr Brukseli për emigrantët.

Italia heq dënimin për shtetasit që hyjnë klandestinë

ROMË - Ministri i Brendshëm italian, Roberto Maroni, njoftoi mbrëmjen e së mërkurës heqjen e dënimit me burg për krimin e polemizuar të imigracionit klandestin që donte ta vendoste qeveria e Silvio Berluskonit. Ky fakt është njoftuar nga agjencia italiane e lajmeve “ANSA”. Ministri shpjegoi në thelb përpara një komisioni parlamentar se burgu do të zëvendësohej nga një sanksion penal që do t'i hapte më pas rrugën "dëbimit të menjëhershëm" të të huajit pa dokumente. Pas këtij sanksioni penal, "ne mund të procedojmë me dëbimin e menjëhershëm" të të huajit pa dokumente, shpjegoi ai. Projektligji fillestar, që po shqyrtohet aktualisht nga parlamenti, parashikonte një dënim nga gjashtë muaj deri në katër vjet burg. Maroni e bëri këtë njoftim ndërsa shifrat e fundit mbi burgjet tregojnë një rritje të mbipopullimit të burgjeve me 56 768 të dënuar në fund të shtatorit për një kapacitet prej 42.992 vendesh. Krijimi i këtij krimi u kritikua nga OJQ-të, opozita italiane, gjykatat dhe instancat europiane. Ministri konfirmoi gjithashtu se do të merrte parasysh mendimin negativ të Komisionit Europian për dëbimin automatik të qytetarëve të BE-së që nuk kanë të ardhura të mjaftueshme apo banesa fikse, të parashikuar nga projektligji mbi sigurinë. Ministri foli për 6.553 dëbime gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2008, një rritje me 28 për qind në krahasim me vitin e kaluar. Afro 27 417 klandestinë kanë mbërritur në Itali gjatë së njëjtës periudhë, tha më tej ai.

Parlamenti Europian së shpejti miraton “Kartën Blu”

Parlamenti Europian do të miratojë së shpejti paketën ligjore për marrjen e “Kartës Blu” për emigrantët e ligjshëm në vendet e BE-së, e cili pritet të përfundojë brenda muajit nëntor. Në këtë projektligj përcaktohen të gjitha kriteret për dhënien e kësaj karte, e ngjashme me Green Card-in amerikan, dhe përfitimet që kanë poseduesit e tyre. Dy ditë më parë Grupi Parlamentar i Partive Popullore (Kristiandemokratët dhe Demokratët Europianë) miratoi draftin e propozuar nga Ewa Klamt, e cila është drejtuesja kryesore e kësaj nisme. Burimet zyrtare të Parlamentit Europian njoftojnë se paketa ligjore pritet që të kalojë për miratim në Komisionin e Privilegjeve Civile dhe brenda muajit nëntor të kalojë për procedurë votimi te parlamentarët europianë. Përgatitja e këtij drafti ka ngritur shumë pikëpyetje pasi vendet e BE-së aplikojnë procedura dhe politika të ndryshme për emigrimin, ndonëse kërkesat e tregut janë të shumta, sidomos në fushën e teknologjive inxhinierike dhe kompjuterike. Karta Blu do të ketë një afat 2-vjeçar, me të drejtë rinovimi dhe atë e përfitojnë të gjithë emigrantët e ligjshëm që kanë 5 vjet qëndrimi në një nga 27 vendet anëtare të Bashkimit Europian.

“Karta Blu”
Nuk jepet për qëndrim të përhershëm
E vlefshme për një periudhë 2-vjeçare dhe e rinovueshme
Lejon lëvizjen e lirë brenda BE-së për mbajtësin e saj dhe familjen
Statusi i qëndrimit afatgjatë sigurohet pas 5 vitesh

Përgatiti: Albert Gjoka

17 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›