Gjykata lë 10 ditë në qeli inxhinierin e Velipojës
Gjykata e Shkodrës vendosi dje masën e sigurisë arrest me afat 10-ditor për inxhinierin e zyrës së urbanistikës në komunën e Velipojës.
SHKODER/ RIDVAN DIBRA
Akuza do të ketë afatin e mësipërm për të paraqitur prova të reja për Lekë Markun, i cili u arrestua tri ditë më parë me akuzën e "korrupsionit pasiv të personave me funksione publike". Mbrojtja e cilësoi arrestimin e Markut të jashtëligjshëm dhe të inskenuar nga ana e policisë. Inxhinieri u vu në përgjim që më 16 qershor dhe më pas u infiltrua një person me inicialet M.D. Ai i kërkoi Markut t'i bënte favor për ringritjen e një ndërtese në bregdet, e cila gjatë aksionit të fundit të ndërtimorëve i ishte prishur. Pas disa bisedave të kryera për mundësinë e rindërtimit të lokalit, personi i infiltruar e ftoi Markun për një kafe, në një lokal në qendër të qytetit. Por lëvizjet e tyre tashmë ishin të survejuara nga policia. Sapo dy bashkëbiseduesit janë ngritur nga lokali, inxhinieri u prangos, pasi personi i infiltruar i kishte lënë në tavolinë një zarf, brenda të cilit ndodheshin 25 mijë lekë. Por për këtë moment, pala mbrojtëse pretendon për paligjshmëri dhe për mungesë provash të mjaftueshme. Sipas avokatit Bujar Hoti, klienti i tij e ka refuzuar me insistim zarfin, por personi që ishte infiltruar nga policia për këtë çështje e ka lënë aty zarfin dhe është larguar. Në këtë mënyrë, ai i ka lënë vend ndërhyrjes së policisë për ta kapur me zarfin në dorë inxhinierin e zyrës së urbanistikës në komunën e Velipojës. Mbrojtja ka pohuar para trupit gjykues se Prokuroria nuk kishte prova të mjaftueshme për ta mbajtur në burg klientin e tij. Në seancën e djeshme, e cila u zhvillua me dyer të mbyllura me kërkesë të Prokurorisë, mësohet të ketë pasur replika nga mbrojtja e 37-vjeçarit të arrestuar. Hoti kërkoi t'i bëhej i ditur motivi i ndryshimit të trupit gjykues, ku drejtuesja e trupit gjykues e paracaktuar Marina Rraboshta ishte zëvendësuar me Gentian Medjen. "Që në nisje kemi të bëjmë me një paragjykim të kësaj çështje", ka replikuar avokati. Por atij i është bërë e ditur se zëvendësimi i gjykatëses Raboshta është bërë me kërkesë të akuzës, pasi gjykatësi Gentjan Medja, i cili tashmë ka në dorë çështjen, ka qenë i gatshëm në momentin e nisjes së përgjimit ndaj të akuzuarit më 16 qershor. Siç mësohet nga burime pranë organit të akuzës Shkodër, të dhënat nga hetimet tregojnë se në rastin e Lekë Markut janë të implikuar disa persona, të cilëve u janë prishur lokalet në breg të detit.