E Diel, 1 Nëntor 2026

Tri mënyra për të zëvendësuar veshkën, transplanti, sfida e fundit

30/03/2005  Profesorët: Lista e pajisjeve e gjatë dhe e kushtueshme. Solis s’po heziton për plotësimin e kushteve

Transplanti, deri 10 pacientë në vit

Ministri i Shëndetësisë, Leonard Solis, vazhdon të jetë optimist për realizimin e transplantit në fund të vitit, edhe pasi dje mjekët paraqitën një sërë kërkesash mbi sigurimin e pajisjeve mjekësore. Grupi i mjekëve, që shkuan në Milano për transplantin, pati një takim me ministrin e Shëndetësisë, ku i paraqitën përvojën e marrë në Qendrën Spitalore të Milanos, kushtet dhe mungesat që ka Qendra jonë Spitalore për ta realizuar këtë sfidë sa profesionale dhe humaniste. Herën tjetër, ata do të paraqesin kërkesat për blerjen e pajisjeve të plotësuar me të dhënat teknike të tyre. Në këtë ekip, që do të jetë dhe i pari që do të realizoj transplantin, marrin pjesë Mustafa Xhani, kirurg urolog, Edmond Kapedani, kirurg, Myftar Barbullushi dhe Alketa Koresha nefrologë, si dhe reaminatori me imunologun.

Përvoja në Milano

“Pamë se si organizohej puna, çdo mëngjes ndaheshim nefrologu me grupin e nefrologëve, imunatori me grupin e imunatorëve, reaminatori po ashtu. Pastaj erdhi dita e operacionit, dy kirurgët Mustafa Xhani dhe Edmond Kapedani hynë në sallë, ndërsa ne e ndoqëm ndërhyrjen me anë të kamerave në dhomën tjetër”, thotë profesor doktor Myftar Barbullushi, mjek nefrolog. Ai thotë se dhe për kirurgët ishte përvojë e re, pasi nuk dolën duke qeshur nga salla, si për një operacion të zakonshëm, por tepër serioz, gjë që tregonte se kishin ndjerë peshën. “Ndërsa për mua si nefrolog dhe reaminatorin përvoja ishte e domosdoshme për të ndjekur pacientin gjatë javës pas operacionit. Kjo pasi ne ndjekim rreth 100 njerëz në vit që bëjnë transplante në Turqi, por jo fill pas operacionit, gjatë jetës”, thotë Barbullushi. Deri 10 transplante në vit

Prof.Barbullushi thotë se kërkesat për të realizuar një transplant janë për 10 deri 20 pacientë në vit, por fillimisht do të realizohen deri 10 transplante në vit. Kjo ndërhyrje do të realizohet në kardiokirurgji, që është restauruar këto dy vitet e fundit dhe i ka të gjitha kushtet optimale për të realizuar një ndërhyrje të tillë. Sallat dhe reaminacioni i këtij pavioni në QSUT mund të krahasohet me standardet evropiane.

Kostoja e transplantit

Ekipi i mjekëve në Itali pa se ju duheshin një sërë pajisjesh, si kirurgu pa se disa pajisje kirurgjikale të posaçme për transplantin duhet të blihen, imunologu, që bënë analizat e përputhjes së donatorit me njeriun që bënë transplantin, nuk ka asnjë nga pajisjet e domosdoshme, pasi në Shqipëri nuk bëhen analiza të tilla. “20 mijë dollarë deri 40 mijë dollarë transplantet kushtojnë jashtë shtetit, ndërsa në Shqipëri nuk e di sa mund të jetë kostoja”, thotë Barbullushi.

Problemi etik i transplantit

Fillimisht në vendin tonë mund të realizohen vetëm transplante me donatorë për veshkën një nga prindërit. Deri këtu nuk përbën ndonjë problem. Transplanti vërtet të siguron disa vite jetë më tepër se me hemodializë, por ka dhe rreziqe. Veshka e dhuruar mund të mos përputhet plotësisht me trupin ku është vënë, kështu që javën e parë ekziston deri 10 për qind rreziku që pacienti të vdesë. “Për këtë arsye, pacienti që para se sa të hyjë në transplant nënshkruan një deklaratë, ku pranon se i njeh rreziqet, në mënyrë që dhe po të ndodhë gjë gjatë javës së parë të mos akuzoj mjekun si vrasës”, shpjegon Barbullushi.

Xhani: Teknikisht jemi të gatshëm

“Për ne, kirurgët, nga ana teknike është mëse e realizueshme, puna është që të krijohen kushtet e nevojshme, pasi po të jetë për të bërë një transplant ne e bëjmë që tani, por puna është që të hyjë si një metodë mjekësore, të kryhet me protokoll mjekësor, të ketë vazhdimësi”, thotë Mustafa Xhani, kirurg urolog.

Hemodializë me anë të barkut

Po të kryhet edhe transplanti në Shqipëri, pacientët, që vuajnë nga insufiçensa renale, kanë tri mënyra zgjedhjeje për të jetuar, hemodializën, thithjen e helmeve nga gjaku nëpërmjet veshkës makineri, me anë të hemodializës së barkut, një gyp me preparat që futet në bark dhe me anë të transplantit. Dializa e barkut ka rreth dy vjet që po përdoret si metodë në Shqipëri, por nuk është bërë publike, pasi ka qenë në fazën e provës. Mënyra e tretë që ju afrohet pacientëve është transplanti, veshkë organike e dhuruar. Kostoja për një pacientë që bënë hemodializë është gati e barabartë me atë të transplantit, duke përfshirë dhe trajtimin e nevojshëm gjatë viteve më pas, ajo që fiton janë disa vite jetë më tepër, por duhet patur parasysh dhe fakti që i merr veshkën prindit, pra lë “ulok” një njeri tjetër dhe 10 përqindëshin e rrezikut për jetën e tij pas operacionit. Pra, nëpërmjet këtyre tri metodave, tashmë pacientët mund të zgjedhin.

Nga insufiçensa renale vdesin 150 pacientë në vit

Janë 55 vetë që kanë mundësi të bëjnë hemodializën në Qendrën Spitalore Universitare, e vetmja që afron aktualisht këtë shërbim. Ndërkohë që rreth 150 vetë vdesin për shkak të pamundësisë së kryerjes së hemodializës. Mesatarisht largohet një njeri çdo dy vjet nga dializa dhe i jepet shansi një njeriu tjetër të hyjë, por janë rreth 400 vetë që kanë nevojë për një shërbim të tillë. Dializa është shërbimi që ka koston më të lartë për QSUT-në 120 000 000 lekë të reja është kostoja vjetore, më pas vjen pediatria me 41 000 000 dhe onkologjiku me 40 000 000 lekë të reja, e megjithatë nevojat për këtë shërbim janë të pamata. Normalisht duke kryer hemodializën njeriu jeton deri 8 vite, por në vendin tonë është një burrë që ka hyrë në dializë që në vitin 1987 dhe tashmë është bërë gjysh.

Në rrethe hapen tri qëndra të reja dialize

Për të bërë hemodializën, edhe 30 shtretër aparatura

Për të përballuar numrin e pacientëve që kanë nevojë për hemodializë prej vitesh po punohet që të hapen dhe tri qendra të reja. Kështu së shpejti do të vijnë 30 shtretër-aparatura. Në pavionin e dializës në Tiranë po bëhet gati një sallë për të vnedosur 10 prej këtyre shtretërve, përveç 12 të tjerëve që ekzistojnë. Dhjetë të tjerë do të vendosen në pavionin që do të hapet në Spitalin e Gjirokastrës. 5 shtretër-apartatura në Spitalin e Shkodrës dhe pesë të tjerë në atë të Elbasanit. Aktualisht kostoja vjetore e hemodializës për një pacient është 17 mijë dollarë. Ardhja e këtyre shtretërve e shton koston trefish, po ul numrin e të vdekurve nga mosfunksionimi i veshkave.

20-40 000 dollarë kushton transplanti jashtë shteti

17 000 dollarë kostoja vjetore e dializës për 1 pacient

55 vetaë bëjnë hemodializë

400 vetë kanë nevojë

150 vetë vdesin në vit

20 kërkesa për transplant deri tani

10 transplante në vit mund të bëhen te ne

100 vetë kanë bërë translant jashtë shteti

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›