Kryqëzimi i Vetvetes
30/03/2005 Dështimet e shumta të procesit politik në vendin tonë, shpesh argumentohen dhe shpjegohen si pasojë e karakterit, veçorive apo tekave të njërit prej dy udhëheqësve kryesor në Shqipëri. Pa mohuar rëndësinë dhe përgjegjësitë e tyre, është disi e çuditshme se sa pak rëndësi i kushtohet faktorëve strukturor apo sistematik në raport me rolin e liderit në zhvillimet politike shqiptare. Shpesh dështimet e demokracisë shikohen si ekskluzivitet i Berishës apo Nanos, duke e trajtuar përciptas kontekstin dhe rrethanat, në të cilat këta liderë kanë ushtruar veprimtarinë e tyre. Kështu, pothuajse gjithçka gjatë periudhës 1992-1996 shikohet si pasojë e veprimit apo mosveprimit të Berishës. Po kështu, pothuajse çdo zhvillim brenda dhe jashtë Partisë Socialiste lidhet pandashëm me Nanon.
Pa dashur të ulim rëndësinë e këtyre individëve në periudhat përkatëse të qeverisjes së tyre, si dhe pa dashur të eliminojmë përgjegjësitë parësore që ata kanë për zhvillimet në Shqipëri, është mëse e natyrshme të pyesim se, përse analiza politike në Shqipëri është personalizuar kaq shumë te një lider i veçantë. Diçka e tillë është veçanërisht e dukshme në rastin e Berishës, i cili tashmë ka emërtuar të gjithë qeverisjen e PD-së pas 1992. Kështu dëgjojmë të thuhet ‘në kohën e Berishës’ ose ‘gjatë regjimit të Berishës’. Natyrisht shprehje të tilla bazohen dhe reflektojnë disa të vërteta të dukshme të qeverisjes së PD-së, ndër të cilat dominimi i padiskutueshëm, dhe shpesh autoritar, i Berishës ka qenë edhe një nga karakteristikat më themelore. Megjithatë, një analizë mëse elementare mjafton për të kuptuar se e gjithë periudha 1992-1996 nuk mund të shpjegohet thjesht nga veprimi apo mosveprimi i një individi të veçantë, sado i rëndësishëm qoftë ai.
Përtej varfërisë konceptuale të mjaft analistëve, ka një arsye themelore se përse analiza politike personalizohet kaq shumë në rastin e Shqipërisë. Duke fajësuar një individ të vetëm dhe duke e kërkuar dhe gjetur shkakun e të gjithave dështimeve te një person i vetëm, fitojnë pafajësinë një sërë individësh, të cilët me veprimin apo mosveprimin e tyre janë pjesë e këtij dështimi. Në këtë mënyrë edhe Lideri Politik, ashtu si Krishti 2000 vjet më parë, merr përsipër të gjitha mëkatet e pasuesve të tij, duke i çliruar ata nga mëkati, faji dhe përgjegjësia. Majfton që pasuesit, pasi ta kenë kryqëzuar, të distancohen dhe ta mohojnë liderin e tyre politik, ashtu sikur Juda dikur Krishtin. Në fund të fundit, në ndryshim nga Krishti, ai është me të vërtetë mëkatar dhe fajtor, çka e bën kryqëzimin dhe braktisjen jo vetëm më të lehtë, por edhe më të ‘moralshme’.
Në shoqërinë tonë kanë ndodhur të paktën dy kryqëzime të tilla, ndonëse secili me specifikate veta. I pari ka qenë ai i Enver Hoxhës, ndërsa i dyti, ai i Sali Berishës. Natyrisht, të dy këta liderë politikë janë mjaft të ndryshëm, ashtu sikurse edhe mënyra në të cilën janë kryqëzuar, njëri përsëgjalli dhe tjetri pas vdekjes. Megjithatë, ka diçka të përbashkët në arsyet dhe mënyrën se si ata janë kryqëzuar politikisht. Në të dyja rastet kryqëzimi i tyre ka qenë i nevojshëm për të çliruar nga faji një shoqëri si kjo e jona, e cila është tejet e rënduar nga fajësia kolektive dhe akoma e pamësuar me përgjegjësinë individuale. Në të dyja rastet, por sidomos në atë të Hoxhës, kryqëzimi ka shërbyer për purifikimin e shoqërisë, rehabilitimin e një pjese të mirë të saj, dhe distancimin nga e kaluara.
Kështu, rrëzimi i figurës së Hoxhës nuk simbolizonte thjesht rënien e diktaturës komuniste. Enver Hoxha ishte jo vetëm simboli, por edhe trupëzim i vetë regjimit. Jo rastësisht diktatura komuniste është e lidhur pazgjidhshmërisht me emrin e tij. Jo më kot kur flasim për diktaturën themi ‘në kohën e Enverit’. Për nga vetë roli, rëndësia dhe përgjegjësia që Hoxha kishte në ngritjen dhe funksionimin e diktaturës komuniste, ai ishte objekti më i mirë për kryqëzim. Kështu ishte mjaft e lehtë dhe ‘e natyrshme’ që atij t’i vishej i gjithë faji i diktaturës komuniste. Duke e kryqëzuar dhe më pas duke u distancuar nga Enver Hoxha, një sërë individësh, në veçanti dhe një pjesë e mirë e shoqërisë sonë në përgjithësi, mund të çlirohej nga ndjenja e fajit për përfshirjen aktive në diktaturën komuniste, pavarësisht nga adhurimi me të cilin e kishin mbuluar Enver Hoxhën përsëgjalli. Duke mohuar Hoxhën, ata purifikonin vetveten. Kjo nuk do të thotë aspak që Hoxha është i pafajshëm apo se ai nuk ishte një dikaktor i pamëshirshëm. Por kurrësesi nuk mund të reduktohet diktatura komuniste thjesht te një person. Ajo nuk u mbajt thjesht me mjete represive, por nëpërmjet përfshirjes të një pjese të mirë të shoqërisë, duke filluar që nga Byroja Politike në qendër deri te sekretari i partisë në fshatin më të humbur të vendit. Dhe shpesh ishin instrumentet më represive të vetë regjimit, që morën pjesë me zellin më të madh në kryqëzimin e liderit, që tashmë kish marrë mbi vete të gjithë barrën e fajit. Duke ia lënë të gjithë fajin për diktaturën Enver Hoxhës, mund të çlirohej nga ky faj një pjesë e mirë e shoqërisë.
I ngjashëm ka qenë edhe reagimi ndaj autoritarizmit të shfaqur gjatë presidencës së Berishës në vitet 1992-1996. Pa dashur të vëmë shenjën e barazimit midis dy periudhave mjaft të ndryshme të qeverisjes, si për nga natyra ashtu edhe për nga rezultatet, nuk duhet të anashkalojmë ngjashmëritë në mënyrën se si ato janë trajtuar në retrospektivë. Ashtu sikurse edhe në rastin e komunizmit, edhe qeverisja e PD-së u identifikua katërcipërisht me Berishën, dhe tashmë quhet ‘koha e Berishës’. Ndonëse diçka e tillë është e kuptueshme për nga vetë roli dhe rëndësia që Berisha ka luajtur gjatë kësaj periudhe, është e vështirë që gjithçka që ndodhi dhe të gjitha dështimet apo arritjet e kësaj periudhe t’i vishen një individi të vetëm. Pikërisht ajo që ndodhi. Berishës iu vesh dhe mori përsipër të gjithë fajësinë për dështimet e qeverisjes së tij, dhe shpesh kjo u bë me më shumë zell dhe dëshirë nga pasuesit, adhuruesit apo bashkëpunëtorët e tij më të afërt. Pas krizës së 1997, ata shpejtuan jo vetëm të ndihmonin në kryqëzimin e Berishës, por edhe të distancoheshin prej tij. Asnjë individ nuk kish përse të fajësonte veten për futjen e parave në firmat piramidale, pasi lekët ia vodhi Berisha. Një pjesë e mirë e shoqërisë nuk kish përse të ndihej fajtore, për faktin se nuk ish ngritur kundër fitimit të dyshimtë nga firmat piramidale, apo pse nuk ish shqetësuar për vjedhjen e zgjedhjeve në 1996. Tashmë fajtori ish gjetur dhe kryqëzuar. Shoqëria mund të flinte e qetë.
Me qëndrimin e saj kolektiv ndaj fajit dhe me një ndjenjë pothuajse të munguar të përgjegjësive individuale shoqëria jonë mund ta vazhdojë prodhimin dhe kryqëzimin e idhujve të saj. Lideri krijohet natyrshëm, pasi nëpërmjet refuzimit të secilit individ për të marrë përgjegjësitë personale, ai mbledh kompetenca dhe ushtron pushtet pa fund. Kështu, ai me ambicien e vet për pushtet ngrihet mbi mosveprimin dhe papërgjegjësinë e pasuesve, çka kuptohet nuk e çliron atë nga përgjegjësia. Më pas kur gjërat arrijnë në pikën kritike të krizës, ai braktiset dhe kryqëzohet për bërjen e atyre mëkateve, për të cilat ai rrallë është ndaluar dhe shpesh është ndihmuar nga vetë pasuesit dhe një pjesë e mirë e shoqërisë. Nëpërmjet këtij kryqëzimi, pasuesit dhe shoqëria distancohen nga lideri, i cili tashmë personifikon të gjithë të keqen e regjimit që ai ngriti me ndihmën e tyre. Në këtë mënyrë, ata e çlirojnë veten nga mëkati dhe barra e përgjegjësisë.
Pas çdo kryqëzimi lind nevoja për liderin e ardhshëm, i cili ngrihet mbi ndihmën e pakursyer të atyre që e rrethojnë dhe mbi heshtjen apo indiferencën e shoqërisë në përgjithësi. Pavarësisht se shoqëria jonë i kryqëzon me mjaft hopokrizi ata, që dikur i ka adhuruar, ajo gjithmonë ka nevojë për mite dhe idhuj të tillë politik, pasi ata marrin përsipër fajësinë kolektive të një shoqëria me një sens akoma të pazhvilluar të përgjegjësisë individuale. Pikërisht për këtë arsye ata prodhohen në vazhdimësi. Kryqëzimi i njërit thjesht krijon hapësirën për nxjerrjen e liderit të ri, shpesh karizmatik, shtatlartë dhe të paepur, ndonëse nuk përjashtohen as shtatshkurtërit apo barkmëdhenjtë dhe shpatullgjerët.