E Shtunë, 31 Tetor 2026

Islami: Qëndrimi ynë s'është kundër Italisë apo Gjermanisë

30/03/2005  Ministri i Jashtëm sqaron debatet për OKB-në

Ministri i Punëve të Jashtme, Kastriot Islami, ka qartësuar qëndrimin e politikës së Shqipërisë në lidhje me reformimin e Këshillit të Sigurimit. Islami, në një intervistë për Dojçe Vele, ka sqaruar dhe përplasjen mes dy diplomacive, asaj italiane dhe gjermane, për reformimin e OKB-së, ku vendi ynë ka mbështetur këtë të fundit, duke sjellë më pas dhe reagimin e palës italiane. Sipas Islamit, "Shqipëria ka një pozicion të qartë, i cili është i bazuar në tri shtylla kryesore: e para, janë interesat e vendit dhe ato kombëtare. E dyta, nevoja dhe rëndësia e reformimit të institucioneve globale në kushtet e zhvillimeve të reja dhe natyrisht roli e kontributi që Shqipëria mund të japë në këtë funksion. E treta, garantimi i bashkëpunimit me gjithë këta partnerë të rëndësishëm, anëtarë të këtyre organizmave ndërkombëtare globale, pra me partnerët strategjikë në funksion të arritjes të objektivave tona strategjikë, që tashmë dihen janë integrim në BE dhe në NATO". Për ministrin e Jashtëm, të dy vendet janë partnerë të rëndësishëm për Shqipërinë, dhe "qëndrimi ynë nuk është kundër asnjërit prej këtyre dy vendeve. Madje, ne do të mbështesim dhe do të vlerësojmë një projekt, që nuk është projekt i njërit ose i tjetrit, por do të preferonim një projekt që të dy palët të ishin pjesëtarë të këtyre forumeve të rëndësishme të vendimmarrjes globale, për të garantuar dhe orientuar këto dy vende të rëndësishme të BE-së drejt një qëndrimi konsensual. Kjo përputhet edhe me interesat dhe përkufizimet që u kemi bërë ne këtyre dy vendeve në kuadër të veprimit diplomatik të Shqipërisë", tha Islami.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›