E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata lë në burg Rezart Taçin

 

Armand Bajrami

Rezart Taçi, presidenti i “Taçi Oil”, i akuzuar për rrahjen e gazetarit Mero Baze do të qëndrojë në qeli të paktën deri në shqyrtimin e ankimit për masën “arrest me burg” në Apel. Gjykata e Tiranës rrëzoi dje kërkesën e avokatëve të biznesmenit Taçi për revokim të vendimit që e la atë në qeli, duke lënë të pandryshuar “arrestin me burg” për Taçin. Në këtë mënyrë gjykata refuzoi për të dytën herë garancinë pasurore të biznesmenit në këmbim të ndryshimit të masë së sigurisë, që këtë radhë ishte 50 mijë euro. Sipas vendimit të shpallur nga gjyqtarja Fahrie Budo, nuk kishin ndryshuar rrethana që të çonin në ndryshimin e masës së sigurisë. Verdikti i Gjykatës “dogji” mundësinë e vetme për lirimin nga qelia të biznesmenit Taçi, përpara se ai t’i drejtohej Gjykatës së Apelit për këtë çështje. Ankimi më shkallën e dytë të gjyqësorit i kërkesës së mbrojtësve ligjorë të Taçit, avokatëve Maks Haxhia dhe Artan Hajdari, për vendimin që la në “arrest me burg” është caktuar në orën 09:30 të ditës së nesërme.
VENDIMI
Gjykata e Tiranës dha dje verdiktin përfundimtar për kërkesën e një dite më parë të mbrojtësve të biznesmenit të naftës, Rezart Taçi, për ndryshimin e masës së sigurisë për klientin e tyre.
Shqyrtimi i kësaj kërkesë nisi të hënën në Gjykatën e Tiranës, por kërkesa e prokurorit për përgatitje me shkrim të konkluzioneve përfundimtare e shtyu dhënien e vendimit për ditën e djeshme. Burime pranë seancës me dyer të mbyllura për median konfirmuan se në seancën e djeshme prokurori kërkoi rrëzimin e kërkesës. Sipas përfaqësuesit të akuzës, nga ana e mbrojtjes nuk ishin paraqitur argumente që të justifikohej ndryshimi i masës së sigurisë. Gjithashtu përfaqësuesi i akuzës ka theksuar edhe njëherë kundërshtinë, sipas tij, të mbrojtësve të cilët në një hark të shkurtër kohor kanë drejtuar një kërkesë për revokim vendimi në shkallën e parë dhe një kërkesë për ankim ndaj vendimit në Gjykatën e Apelit. Një ditë më parë avokatët pohuan para gjykatës punë jo serioze nga prokuroria dhe kërkuan pyetjen e katër personave të tjerë si dëshmitarë të ngjarjes. Pasi u njoh me pretendimet e palëve, gjyqtarja Farijë Budo vendosi dje të rrëzojë kërkesën e avokatëve.
KONFLIKTI
Rezart Taçi, presidenti i “Taçi Oil” dhe dy shoqëruesit e tij, Irgen Selfo dhe Bledar Lilo, u vunë nën akuzë për një episod dhune mes tyre dhe gazetarit Mero Baze, të shënuar mbrëmjen e 3 nëntorit në një nga lokalet e zonës së ish-bllokut në Tiranë. Pas ngjarjes, Selfo dhe Lilo u arrestuan, ndërsa Taçi u shpall në kërkim policor. Biznesmeni u paraqit në Drejtorinë e Policisë Tiranë, pak orë pasi gjykata vendosi për të në mungesë “arrest me burg”. Në masën e sigurisë Irgen Selfo pranoi të kishte goditur Bazen, duke thënë se nuk e kishte njohur, ndërsa Taçi ishte afruar vetëm për të ndarë. Në seancës e njohjes me masën e sigurisë më 7 nëntor, gjykata refuzoi garancinë pasurore prej 100 mijë euro të ofruar nga Taçi, në këmbim ndryshimit të masës së sigurisë.

argumentat

Avokatët

Prokuroria ka bërë hetim jo të plotë të ngjarjes. Ofrohet garancia pasurore 50 mije euro për lirimin. Katër dëshmitarë të identifikuar me emra mohojnë dhunën nga biznesmeni

Prokuroria

Avokatët bënë dy kërkesa të ndryshme për të njëjtin objekt Nuk kanë ndryshuar kushtet dhe rrethanate ccështjes penale Të mbahet në qeli i dyshuari për ngjarjen

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›