E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbi premtimet elektorale të pambajtura

Agron Duka 

Gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare që u zhvillua në qytetin a Shijakut, besoj kështu ka ndodhur kudo, pothuaj të gjithë përfaqësuesit e forcave të ndryshme politike premtuan shumë. Premtuan përmirësim të infrastrukturës, premtuan drita, ujë e ç’nuk premtuan. Në fakt, këto probleme nuk janë plotësisht në dorë të tyre, sepse jo të gjithë ata do jenë pjesë e kabinetit të ardhshëm qeveritar, por dihet që kështu kandidatët për deputetë e kanë më të lehtë për të bindur votuesit që t’i marrin votën. Ata e dinë që detyra e tyre parësore është hartimi dhe aprovimi i ligjeve dhe është pushteti qendror e ai lokal që do të merret me realizimin e investimeve. Nëse merremi pak me realizimin e asaj që e quajtëm si detyrë parësore të deputetëve do të shohim se lë shumë për të dëshiruar.
Do vërejmë se në Parlament do na shfaqen dy grupe apo lloje deputetësh. Një grup besnik e militant partie, i cili ka vetëm një meritë që ngre kartonin pro apo kundër gjithmonë sipas udhëzimeve të grupit parlamentar, të cilit i takojnë dhe një grup tjetër që merret me të vërtet me hartimin, përmbajtjen dhe cilësinë e ligjeve. Këta të dytët, të cilët janë më të paktë në numër, debatojnë nëpër komisione parlamentare e ia servirin këto ligje Parlamentit për diskutim e aprovim, janë po të njëjtët të cilët diskutojnë në seancë e kur nuk bien dakord ndërmjet tyre (maxhorancë-opozitë) kërkojnë ndihmën e grupit të parë, të cilët janë gjithmonë të gatshëm të votojnë për çfarë iu thonë. Pra, nëse do zbatohen një nga parimet e kapitalizmit ku secili të shpërblehet sipas punës, ata që vetëm ngrenë kartonin do të kishin një pagë minimale, por në fakt ndodh që jo rrallë, “besnikët” të jenë prezentë në Parlament disa mandate rresht. Duket që efektiviteti i punës në Parlament matet ndryshe.
Kjo që po them vërtetohet lehtësisht; bëni një provë e pyetini kur mbarojnë seancën (këtë mund ta bëjnë gazetarët); çfarë ligjesh u aprovuan sot? Të jeni të sigurt se një pjesë e konsiderueshme do ngrenë supet. Nëse do e rrisni shkallën e vështirësisë e të pyetni për përmbajtjen e ligjeve numri i atyre që nuk do jenë në gjendje të japin përgjigje do të shtohet.
Megjithatë, problemi që dua të ngre në këtë shkrim është sa dhe si realizohen premtimet e dhëna në fushata elektorale nga deputetët dhe a është detyrë e tyre të merren me realizimin e këtyre premtimeve.
Dihet që qeveritë votohen në Parlament. Ato marrin bekimin e popullit nëpërmjet maxhorancave parlamentare. E parë në këtë këndvështrim, deputetet duhet të mbajnë një lloj përgjegjësie për premtimet e pambajtura edhe kur nuk janë anëtarë qeverie.
Do të ishte absurde të mendosh e të shpresosh që realizimi i tyre do të bëhet në masën 100%, por është tallëse dhe e pafalshme kur premtohet e njëjta gjë në disa fushata elektorale e nuk realizohet. Një shembull konkret për të ilustruar atë që po mundohem të them më sipër është premtimi për ndërtimin e një pallati sporti në qytetin e Shijakut.
Në vitet 2004 dhe 2005 u akorduan disa fonde të pjesshme me vlerë 20 milionë lekë të reja nga buxheti i shtetit për ndërtimin e këtij objekti me mendimin që do të vazhdohej në vitet pasardhëse, ku vlera përfundimtare për ndërtimin e objektit sipas projektit të bërë kapte shifrën 142 milionë. Pra për realizimin përfundimtar nevojiten edhe 122 milionë lekë. Këto fonde, të cilat siç e theksova ishin të pjesshme u realizuan dhe si përfundim në vendin e caktuar për këtë qëllim janë hedhur themelet, disa kapriata hekuri, aq sa lejonin fondet e akorduara dhe që nga ajo kohë vazhdon e njëjta gjendje me ndryshimin që vende-vende ka mbirë bari e qytetarët kanë filluar të humbasin besimin.
Qytetarët shijakas janë shumë sportdashës, mund të them me bindje se sporti i tyre më i preferuar është volejbolli, ekipi i tyre i volejbollit për meshkuj, i cili është përfaqësuar për rreth 30 edicione në Kategorinë e Parë dhe është fitues i tre kampionateve, si dhe i dy kupave të Republikës, tashmë rrezikon ekzistencën e tij për mungesën e një ambienti për t’u stërvitur e për të zhvilluar ndeshjet. Është ky shkaku që në listën e premtimeve të kohëve të fundit të bëra nga politika ka qenë në vend të parë pikërisht ndërtimi i këtij pallati sporti.
Por deri tani nuk është bërë asgjë, e në këtë rast nuk kemi të bëjmë vetëm me një premtim të pambajtur, por edhe me një papërgjegjshmëri të theksuar për fatin e investimit që është realizuar. Nëse ai objekt do të vazhdojë kështu i abandonuar e në mëshirën e fatit, me kalimin e kohës rrezikon të zhduket plotësisht e bashkë me të, të zhduken edhe një sasi e konsiderueshme parash të taksapaguesve shqiptarë.
Çfarë do të bëhet në të ardhmen? A do të kujtohet ndokush për premtimin e bërë? A do të bëhen efektive paratë e hedhura deri më tani? Do të arrijnë më në fund qytetarët shijakas të kenë pallatin e tyre të sportit?
Kjo pyetje deri në këtë moment nuk ka marrë përgjigje. Kujt duhet t’i drejtohemi, kush duhet ta marrë përsipër përgjigjen e saj. Unë mendoj ndërmjet të tjerëve, deputetët e zonës, të cilët e kanë për detyrë të mbajnë premtimet e bëra e të ngrenë shqetësimin në qeveri e Parlament për realizimin përfundimtar të këtij investimi. Deputetët e zonës, për shkak të sistemit proporcional rajonal, për fat të mirë janë nga të dy krahët por për fat të keq në Parlament merr pjesë vetëm maxhoranca e në këtë rast po mundohem të plotësoj sadopak boshllëkun e krijuar nga opozita. Së shpejti, vijnë zgjedhjet e pushtetit vendor e nëse nuk realizohet ajo që u premtua në zgjedhjet parlamentare, qytetarët nuk do i besojnë me asnjë partie. Ministri i Rinisë Kulturës e Sporteve, i cili është nga Durrësi dhe e njeh mirë problematikën  e këtij qarku, besoj se këtë radhë do e realizojë premtimin e dhënë edhe nga forca e tij politike për këtë investim.
Populli thotë: nëse gënjehem një herë nuk kam faj, por nëse gënjehem për së dyti faji është i imi. Të urojmë e të shpresojmë që të mos ketë rast të dytë.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›