E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata lë në burg autorin e plagosjes së Zef Doçit

LEZHË Gjykata e Shkallës Parë në Lezhë ka dhënë masën e arrestit “burg pa afat” për Almir Marinajn, 27-vjeçarin që ka plagosur kandidatin e Lidhjes Demokristiane për komunën Balladre të rrethit të Lezhës, Zef Doçi. Masa e arrestit është dhënë për akuzën e “plagosjes së rëndë me paramendim dhe armëmbajtje pa leje për 27-vjeçarin Marinajn. Ndërsa gjyqi është zhvilluar me dyer të mbyllura, edhe pse në korridoret e kësaj gjykate ka pasur familjarë të plagosurit Zef Doçi dhe njëkohësisht edhe të arrestuarit. Ndërkohë që gjykata, në momentin e marrjes së masës së arrestit të 27-vjeçarit, ka qenë e rrethuar nga ana e forcave të shumta të policisë së rendit dhe kriminale, të cilët i kishin ardhur në ndihmë policisë së burgut të Shënkollit, që kishte sjell në gjykatë Almir Marinajn, për t’u njohur me akuzën dhe marrë masën e arrestit. Gjatë deponimit në gjykatë, Marinaj është shprehur se “plagosjen e Zef Doçit e kam kryer, pas një konflikti që kam pasur me Doçin, tre ditë para se të ndodhte edhe plagosja. Kam dashur të sqarohesha me Zef Doçin, për shkak të fyerjes që më kishte bërë gjatë momentit të konfliktit me të në qendër të fshatit Kakarriç dhe nuk kam pasur asnjë qëllim të qëlloja me armë mbi të. Por gjatë bisedës me Doçin, ai sërish më ofendoi ndërsa ishte në makinën e tij. Në moment gjaknxehtësie kam nxjerrë pistoletën, duke e qëlluar për ta kërcënuar se, nëse do vazhdonte të më ofendonte, do ta qëlloja. Pasi kam qëlluar tre herë në ajër, në momentin që po ulja pistoletën, e kam tërhequr këmbëzën e shkrehjes sërisht dhe pa dashur kam qëlluar për të katërtën herë, duke e plagosur 50-vjeçarin Doçi. Unë do i kërkoja falje familjes së Doçit dhe atij personalisht dhe pres çdo vendim që do japin organet e drejtësisë, duke kërkuar vetëm falje për gjithçka ka ndodhur familjes Doçi”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›