E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranga të kërkuarit për dy vrasje

Marin Koka është arrestuar në aeroportin e Rinasit, pasi tentonte të largohej nga Shqipëria me një pasaportë false

Arrestohet Marin Koka, i shpallur në kërkim që nga viti 2007, i akuzuar për dy vrasje të ndodhura në Kurbin, njëra në qytetin e Laçit dhe tjera në qytetin e Mamurrasit. Marin Koka ( Tuci) është arrestuar në aeroportin e Rinasit, ndërsa lëvizte me një pasaportë me identitet të rremë, me emrin Klinton Çomo, bëjnë të ditur burime zyrtare të policisë. Ndërkohë që për të njëjtën akuzë policia e Kurbinit kishte arrestuar vetëm pak ditë pas ngjarjes edhe vëllain e Marinit, Tonin Kokën (Tuci), që ishte arrestuar në hyrje të qytetit të Mamurrasit. Vrasja ka ndodhur më 14 maj 2007. Ndërsa Leonard Rama nga fshati Gjormë i rrethit të Kurbinit kishte ardhur në qytetin e Laçit për të gjetur ndonjë punë, është vrarë, sipas policisë së Kurbinit, nga Marin Koka (Tuci) dhe Tonin Koka (Tuci) nga qyteti i Mamurrasit. Sipas burimeve zyrtare të policisë së Kurbinit, por edhe të dëshmitarëve okularë në vendin e ngjarjes, konflikti midis dy vëllezërve Koka dhe Ramës ka ndodhur pasi ky i fundit teksa ka qenë duke ecur me një karrocë u ka gërvishtur makinën dy vëllezërve. Hetimet e mëvonshme kanë treguar se viktima Leonard Rama kishte ngacmuar një të afërm të vëllezërve Koka, e cila kishte qenë me nënën e saj në qytetin e Laçit në kohën ku dy vëllezërit tashmë të arrestuar ndodheshin në Itali. Pasi kanë mësuar një gjë të tillë, dy vëllezërit Koka kanë ndjekur Ramën për të gjetur edhe një shkak konflikti me të dhe për t’u hakmarrë. Shkak të cilin e kanë gjetur pikërisht më 14 maj 2007. Dy vëllezërit Koka, pasi kanë dalë nga makina, sipas burimeve zyrtare të policisë së Kurbinit, kanë qëlluar në kokë me pistoletë Leonard Ramën, duke i shkaktuar atij vdekjen e menjëhershme. Pas vrasjes së Ramës, dy vëllezërit Koka kanë hipur në makinë dhe kanë udhëtuar me shpejtësi për në Mamurras, ku në qendër të qytetit në afërsi të një “Uestern Union” kanë përplasur edhe 72-vjeçarin Lutfi Aliko. Përsëri dy vëllezërit, sipas policisë, e cila ishte vënë në ndjekje të tyre, pas krimit të parë nuk kanë ndaluar dhe janë larguar në drejtim të paditur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›