Grabitjet, “Shpirti i Zi” kap 10 shqiptarë në Itali
ITALI - Operacioni i koduar “Shpirti i Zi” ka arrestuar në Itali dhjetë emigrantë shqiptarë të akuzuar për grabitje vilash. Sipas burimeve zyrtare nga policia e vendit fqinj, mësohet se shqiptarët e arrestuar akuzohen për 61 grabitje, kryesisht vila dhe banesa private në qytetet Savona, Cuneo, La Specia, Imperia, Piacenza, Pavia, Varese dhe Brescia. Operacioni i quajtur “Shpirti i zi” për shkak të barbarisë së shqiptarëve të akuzuar për grabitje, është zhvilluar mbrëmjen e mërkurë, duke vendosur në pranga edhe një shtetas polak. Sipas dëshmive të marra nga policia, kjo bandë kishte arritur të realizonte plot 61 grabitje nga muaji maj i këtij viti dhe deri në shtator. Vjedhjet e dhunshme bëheshin gjatë orëve të natës, ndërsa në të shumtën e rasteve banorët e vilave ndodheshin në gjumë. Autorët hynin në banesa nëpërmjet dritareve dhe grabisnin paratë, telefonat celularë dhe bizhuteritë e çmueshme. Në disa raste ata kanë grabitur autoveturat e pronarëve të shtëpive, duke përdorur çelësat që kanë gjetur në apartamente. Automjetet, që ishin gjithmonë të shtrenjta, përdoreshin më pas në grabitje të tjera. Karabinierët arritën të gjenin mallra të një shume prej rreth 500.000 euro gjatë arrestimit të shqiptarëve.