E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasje mes shqiptarësh në Itali, gruaja e viktimës hidhet nga dritarja e shtëpisë

 

ITALI – Krim pasioni mes dy shqiptarëve emigrantë në vendin fqinj. Një 33-vjeçar shqiptar ka vrarë përpara syve të gruas dhe dy fëmijëve të tij të mitur, kolegun e tij të punës në zonën e Montevarkit të provincës së Arrezos në vendin fqinj. Viktima, një i ri 23-vjeç ka pësuar vdekje të menjëhershme, pasi është qëlluar disa herë me thikë, ndërsa autori është arrestuar nga policia pak minuta pas ngjarjes. Sipas hetimeve të para, autoritetet policore italiane e kanë cilësuar si një krim pasioni ngjarjen, ku mbeti i vrarë Mariglen Balla. Ndërsa i arrestuari si autor i ngjarjes mësohet të jetë Krenar Çobo. Mediat italiane bënë të ditur se gjithçka ka ndodhur në katin e dytë të një banese në orët e mesditës së djeshme në rrugën “Pieve” të Montevarkit. Krenar Çobo ka shkuar në banesën ku qëndronte prej 6 muajsh me familjen e tij dhe ka gjetur aty edhe 23-vjeçarin Balla. Mesa duket “surpriza” ka rezultuar krejtësisht e pakëndshme për kryetarin e familjes, i cili ka filluar të grindet ashpër me “të paftuarin”. Pas debateve të ashpra ai është vërsulur mbi kolegun e tij, duke mbajtur në dorë një thikë gjahu. Gjatë përleshjes ai e ka qëlluar dy herë të riun, duke i krijuar plagë të rënda, të cilat i shkaktuan vdekjen. Ndërsa bashkëshortja 22-vjeçare e Çobos, e frikësuar se mos binte pre e mërisë së bashkëshortit është hedhur nga dritarja e apartamentit. Sipas policisë, për shkak të lartësisë së dritares, rreth 3 metra, ajo ka ndrydhur kaviljen dhe ka marrë plagë të tjera të lehta. Gjithë skena është kryer përpara syve të dy fëmijëve 2 dhe 5 vjeç të çiftit Çobo. Një telefonatë e një fqinji të familjes Çobo, që kishte dëgjuar ulërima të vinin nga apartamenti i shqiptarëve, ka çuar policinë menjëherë në vendngjarje. Pasi janë futur në banesën e lajmëruar karabinierët kanë gjetur Çobon përballë viktimës. Pasi i kanë vënë prangat ai është dërguar në kazermën e karabinierëve të Montevarkit. Mësohet se aty, 33-vjeçarit i është komunikuar edhe arrestimi për akuzën e “vrasjes”. Sipas një rindërtimi paraprak të ngjarjes nga investiguesit italianë, dyshohet se grindja ka lindur për motive xhelozie, pasi Çobo ka gjetur Ballën në shtëpinë e tij. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›