Gjykata lë në burg mjekun, “arrest shtëpie” për farmacisten
Gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurimit “arrest me burg” për mjekun Nikoll Koleci dhe transportuesin e ilaçeve të vjedhura nga spitali onkologjik, Andronaq Zili
Tiranë Gjykata e Tiranës ka vendosur të lërë në burg mjekun Nikoll Koleci, ndërsa caktoi masën e sigurisë “arrest shtëpie” për bashkëshorten e tij Jetmira Koleci, e cila punonte si farmaciste pranë spitalit onkologjik në kryeqytet. Masa shtrënguese e sigurisë “arrest me burg” u caktua edhe për Andronaq Zilin, i cili u kap në flagrancë duke transportuar ilaçe me pullë spitalore me qëllim shitjen e tyre në treg, në kundërshtim me ligjin. Gjatë seancës së djeshme, përfaqësuesi i akuzës parashtroi para gjykatëses së gatshme fabulën e ngjarjes për të cilën u arrestua çifti i mjekëve. Sipas hetimit paraprak, policia kishte informacione se Nikoll Koleci kryente kontrabandë ilaçesh dhe për këtë arsye është mbajtur nën vëzhgim banesa e tij. Rreth orës 22:00 të mbrëmjes së datës 22 pranë banesës së mjekut është afruar një automjet tip “Benz” i drejtuar nga Andronaq Zili. Në garazhin e banesës, mjeti tip benz ka marrë disa koli me ilaçe dhe është nisur drejt Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Gjatë rrugës policia ka kryer ndalimin e automjetit tip benz dhe ka konstatuar se brenda tij ndodheshin ilaçe me pullë spitalore, të cilat nuk mund të tregtohen pasi u ofrohen pacientëve që kanë nevojë, falas. Më pas është kryer kontroll në banesën e mjekut, ku janë gjetur dhe sekuestruar një sasi me vlerë rreth 60 mijë euro ilaçe me pullë spitalore, të cilat i përkisnin spitalit onkologjik. Farmaciste pranë këtij spitali ishte bashkëshortja e mjekut, Jetmira Koleci, e cila është arrestuar nën akuzën e vjedhjes duke shpërdoruar detyrën. Për këtë arsye prokurori Valentin Preçi kërkoi nga gjykata caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” ndaj mjekut Nikoll Koleci dhe transportuesit të ilaçeve të vjedhura, Andronaq Zili. Ndërsa për farmacisten prokurori kërkoi masën e sigurisë “arrest shtëpie”, pasi duhet të kujdeset për dy fëmijët e çiftit. Pasi dëgjoi këtë kërkesë, gjykatësja e gatshme vendosi ta miratojë atë, duke caktuar masat e kërkuara nga përfaqësuesi i organit të akuzës. Vetë të arrestuarit nuk kanë pranuar të japin shpjegime, duke rezervuar të drejtën për të folur në një fazë tjetër të hetimit. I vetmi që ka dhënë një dëshmi ka qenë transportuesi i ilaçeve, i cili ka deklaruar se barnat që kishte marrë nga banesa e mjekut do ia çonte një personi të cilin nuk e njihte pranë QSUT-së në Tiranë. Të tre të arrestuarit dyshohet se kanë konsumuar akuzën e vjedhjes duke shpërdoruar detyrën, të kryer në bashkëpunim.