Krimi në familje, më shumë viktima gratë
Sipas psikologëve, zakonisht ngjarjet kanë ndodhur për arsye ekonomike, por edhe për çështje xhelozie
E shtëna vdekjeprurëse e armës në familje mbetet një nga shqetësimet më të mëdha në Shqipëri. Rastet kur babai ka qëlluar mbi bashkëshorten, fëmijën dhe anasjelltas janë dëshmi të rritjes së rrezikut brenda mureve të shtëpive shqiptare. Në kushtet të tilla, kur rriten statistikat e krimit në familje, psikologët thonë se shkaqet janë të shumta, duke veçuar mbi të gjitha tranzicionin e tejzgjatur, varfërinë dhe papunësinë kryesisht te femrat. Megjithëse krimi në familje nuk njeh kufizime gjinore e gjeografike, psikologët kanë evidentuar faktin se vrasjet në familje kanë ndodhur më së shumti në zonat rurale, ku varfëria ka qenë në nivele shqetësuese. Madje, nuk janë të pakta rastet kur vrasjet kanë ndodhur për motive xhelozie, Ndërsa ai që shkrep këmbëzën e armës mund të jetë femër ose mashkull, baba apo nënë, por që, sipas psikologëve, ka presionin më të madh të mbajtjes së familjes. Të dhënat tregojnë se në pjesën më të madhe të rasteve viktimat kanë qenë gratë, ndërsa burrat autorët. Jo rrallë herë, viktima janë bërë edhe fëmijët. Për rastet e krimeve të ndodhura në vend, statistikat tregojnë se familjet ku ka ndodhur krimi kanë jetuar në varfëri.
Krimi në familje
Precedentët
Janar 2011
Bukurie Hoxha, 44 vjeç nga Surrësi i Durrësit, nënë e tre fëmijëve, u vra me armë zjarri nga bashkëshorti i saj 54-vjeçar Agron Hoxha. Në gjendje të dehur ka qëlluar mbi të shoqen pas një konflikti, duke e lënë të vdekur në vend. Më pas ai është vetëplagosur.
Shkurt
Në fshatin Hotolisht të Librazhdit 55-vjeçari Sami Cepi ka goditur me sende të forta bashkëshorten e tij Behije, 46-vjeçe, derisa i ka shkaktuar vdekjen e më pas ka vrarë edhe veten e tij. Trupin e saj e kishte hedhur në një kanal.
Prill
Aleko Rrapi, 42 vjeç, ka qëlluar me mjete të forta babanë e tij Koli Rrapi, 74-vjeç.
Mësohet se 42-vjeçari ishte me të meta mendore. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në lagjen “Mbrostar Ferko” në qytetin e Fierit.
Korrik
Ndue Stomiçi ka ekzekutuar djalin e tij të identifikuar me inicialet N.S. Krimi makabër ka ndodhur në fshatin Torovicë të Komunës Balldre të rrethit të Lezhës. Vrasja sipas policisë ka ndodhur pas një sherri mes tyre.
Korrik
Babai 65-vjeçar qëllon për vdekje djalin e tij. Ngjarja ka ndodhur fshatin Arrëz, në komunën Poshnje të rrethit të Beratit. Vullnet Cjapi, 36 vjeç, u qëllua për vdekje me armë zjarri në gjoks, nga i ati i tij Yzer Cjapi, 65 vjeç.
Korrik
Dallëndyshe Kasa, 55 vjeçe. i ka hedhur vaj të nxehtë bashkëshortit 60-vjeçar, Xhelo Kasa. duke i shkaktuar vdekjen. Ngjarja ka ndodhur në banesën e çiftit në lagjen "11 Janari" në qytetin e Fierit.
Gusht
Në muajin gusht në fshatin Pjesëz të Shijakut, Isuf Smoqi, 54 vjeç, vrau me armë gruan e tij. 50-vjeçaren Bukurie Smoqi. Kjo ka ndodhur pas një sherri familjar. Autori u arrestua pak minuta pasi ka kryer vrasjen, pas një sherri banal me të shoqen.
Shtator
23-vjeçari Eder Haxhia ka vrarë bashkëshorten e tij Alberta Haxhia (Musabelliu). Eder Haxhia nga Shkodra nuk ka pranuar autorësinë e ngjarjes, duke deklaruar se e kishte gjetur të plagosur gruan e tij dhe e kishte dërguar në spital.
Shtator
Në një lagje të Bulqizës 76-vjeçari Bajram Muçaj ka qëlluar me thikë gruan e tij Verën, pas konflikteve të shumta mes tyre. Autori tenton të vrasë veten, ndërsa pas arrestimit ka deklaruar se e ka vrarë gruan pasi ikte pa leje nga shtëpia.
Shtator
Në një fshat të Mallkastrës 53-vjeçari Shefqet Pashaj ka vrarë të atin, Selman Pashajn, 77 vjeç, i cili ka humbur jetën për shkak të plagëve të shumta që kishte marrë në trup nga kosorja që kishte përdorur i biri.