Shkon të vjedhë skrap, vdes nga korrenti 22-vjeçari
I riu njihej si shitës skrapi, por duket se dita e djeshme ka qenë fatale për të, pasi korrenti i ka marrë jetën
Korçë Vdes i riu hajdut, shkoi të vidhte, mbeti peng i rrymës elektrike. Një grabitës ka patur fundin më të keq të mundshëm, ndërsa tentativa për ta shpëtuar ka rezultuar e pasuksesshme, pasi vdekja ka qenë e menjëhershme. Ngjarja tragjike është regjistruar në orët e para të mëngjesit në një ish-repart ushtarak në fshatin Bulgarec, rreth 4 kilometra larg qytetit të Korçës. Dy të rinj nga fshati Vashtmi në rrethin e Korçës, konkretisht viktima Anxhelo Hoxhalli 23 vjeç dhe Skerdi Malësia 22 vjeç prej disa kohësh merreshin me grumbullimin e skrapit. Madje, ata hynin në objekte të ndryshme duke e vjedhur atë. Kështu ka ndodhur edhe gjatë të hënës, ku kanë zgjedhur si vend për të siguruar sasi të konsiderueshme skrapi një kabinë elektrike të një ish-reparti ushtarak me numër 6614 në fshatin Bulgarec. Dy bashkëfshatarët nga fshati Vashtmi kanë shkuar në fshatin fqinj, aty ku kanë qenë gjatë këtyre ditëve mjaft shpesh, bëjnë të ditur burimet zyrtare të policisë për gazetën. Duke përfituar nga mungesa e rojes së këtij objekti, të rinjtë që synonin vjedhjen kanë hyrë në kabinë dhe kanë nisur të marrin prej saj telat që kanë gjetur aty. Pa e ditur se lidhja elektrike në to nuk ishte shkëputur Anxhelo Hoxhalli ka vazhduar t’i tërheqë, pa e menduar se ky do ishte dhe fundi më i keq i tij. Teksa tërhiqte kabllot e aluminit, ai ka rënë në kontakt me energjinë elektrike, e cila i ka shkaktuar vdekjen. Shoku i tij në aktin e vjedhjes, shtetasi Skerdi Malësia, është tmerruar nga ajo që po ndodhte, ndërsa ka njoftuar disa të afërm për ndihmë urgjente. Megjithëse viktima është transportuar në spital me mjaft urgjencë, nuk ka mundur të mbijetojë. Ndërkaq, policia e Korçës ka marrë njoftimin e saj për ngjarjen, duke nisur dhe hetimet e rastit. Kështu 22-vjeçari Malësia do të ndiqet penalisht në gjendje të lirë për veprën penale “Vjedhje e mbetur në tentativë”. Ndërkaq, ai ka qenë dëshmitari i vetëm i tragjedisë, ndërsa në shpjegimet e para që i ka dhënë policisë ka pranuar se kanë shkuar bashkë me shokun e tij për të siguruar skrap, pasi jetesa e tyre është mjaft e vështirë, për shkak të problemeve ekonomike me të cilat përballen çdo ditë familjet e tyre. Irena Vreto