Katër sëmundjet që na “vrasin”
Sëmundjet e aparatit të qarkullimit, tumoret, traumat dhe ato të aparatit të frymëmarrjes shkaktojnë numrin më të madh të vdekjeve në vendin tonë. Sipas raportit të INSTAT, struktura e vdekshmërisë mbetet pothuaj e pandryshuar. Më shumë jetë njerëzish marrin çdo vit sëmundjet e aparatit të qarkullimit me 54% të numrit total të vdekjeve. Në këtë grup, sëmundjet e enëve të gjakut, të trurit dhe ato të zemrës kanë shënuar rritje te femrat, ndonëse numri i meshkujve që humbin jetën prej tyre është disa herë më i madh. Tumoret zënë vendin e dytë në strukturën e vdekshmërisë, sidomos tumoret malinj të aparatit tretës dhe ata të frymëmarrjes, që prekin më shumë personat mbi 50 vjeç. Tumoret malinj të stomakut prekin dy herë më shumë meshkujt sesa femrat, ndërsa kanceri i mushkërive shfaqet 4 herë më shumë tek ata. Ky raport përmbyset në tumoret e gjirit dhe të kockave, të cilët shkaktojnë vdekje 3 herë më shumë te femrat, sesa te meshkujt. Ndërsa për tumoret e llojeve të tjera, raporti femra-meshkuj është pothuajse i njëjtë.