Kërcënonte gruan, burri përfundon në polici
TIRANE- Policia lëshon urdhrin e mbrojtjes për gruan e dhunuar, ndërsa nis ndjekjen penale për bashkëshortin e akuzuar, për ushtrim dhune në mënyrë sistematike ndaj bashkëshortes së tij. Kastriot A., 38 vjeç, banues në Kombinat, është shoqëruar nga policia e Komisariatit nr.6, pas ankesës së bashkëshortes së tij, Valmira për ushtrim dhune. Kjo e fundit ka lajmëruar në sallën operative të policisë së kryeqytetit, se bashkëshorti i saj në mënyrë të vazhdueshme ushtronte dhunë ndaj saj, duke e goditur atë me grushte sende të forta etj. Gruaja është ankuar se një veprim të tillë, bashkëshorti i saj e kryente në mënyrë sistematike, duke u bërë i padurueshëm. Menjëherë pas kësaj ankese të mbërritur në sallën operative, policia e Komisariatit nr.6, ka mbërritur në adresën e mësipërme, duke shoqëruar bashkëshortin. Pas veprimeve të kryera, policia ka plotësuar urdhrin e mbrojtjes për gruan 28-vjeçare, ndërsa për të shoqin ka nisur ndjekja penale, nga seksioni i krimeve dhe dhunës në familje. Ky është rasti i katërt i marrë në shqyrtim nga policia e kryeqytetit brenda dy ditëve. Ndërkaq tri ditë më parë, policia e Kamzës, arrestoi një person me pistoletë në banesë, pas ankesës së të shoqes për ushtrim dhune.