E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëfimi në gjyq: Vrava babanë se më rrahu e s’më dha bukë

 

Fatos Mahmutaj

“Vrava babanë se më rrahu, kur po haja darkë”. 16-vjeçari E.Lika dukej i qetë në ato që thoshte dje para gjyqtares së gatshme, që shqyrtoi kërkesën e prokurorisë për vendosjen e masës së sigurisë. Adoleshenti tregoi se bashkë me të atin, viktimën Ahmet Lika kishin udhëtuar nga banesa e tyre, që ndodhet në rrugën “Myslym Keta” në fshatin e origjinës Mal-Mner për të punuar tokat. Aty kishin punuar gjithë paraditen, ndërsa pasdreke i ati kishte nisur të pinte, kurse djalit i bërtiste që të vazhdonte të rrëmihte tokën, madje duke mos i dhënë as për të ngrënë. “Babai më thoshte gjithë kohës, që duhet të mbaroja së punuari sipërfaqen, që më kishte caktuar, ndërsa vetë vazhdonte të hante dhe pinte raki. Kur i kërkova të haja ai tha se do më rrihte. Nuk kisha ç’të bëja dhe u drejtova tek ushqimet, por aty ai më kapi dhe më qëlloi me shpulla e shkelma. Pasi u përleshëm babai nxori një automatik, që kishte fshehur të shtëpia që kemi pasur në fshat dhe e vendosi në një cep të dhomës. Nëse nuk do mbaroja punë ai do më vriste me të”, mësohet të ketë thënë në gjykatë adoleshenti E.Lika, në masën e sigurisë të së cilit gjykata caktoi përveç një avokateje kryesisht edhe një psikologe. Duke treguar për momentin e krimit djali tha, se kishte vepruar për vetëmbrojtje, duke rrëmbyer automatikun që kishte mbushur i ati dhe me të kishte gjuajtur babanë, duke i shkrehur në trup gjithë karikatorin. Ndërsa i ati kishte rënë përtokë, 16-vjeçari kishte ndërruar veshjen e gjakosur me rroba të pastra, që kishte marrë me vete dhe ishte nisur me vrap në drejtim të maleve dhe pas pak orësh kishte mbërritur në periferi të qytetit të Krujës. Aty ishte drejtuar në një banesë, ku kishte kërkuar të kalonte natën, duke pohuar se kishte udhëtuar nga fshatrat e Krujës dhe do të shkonte në Tiranë për një hall familjar. Ndërsa pronarët e shtëpisë ishin bërë gati ta merrnin në banesë, në rrugë kalon një kamion i ngarkuar me trungje, me të cilin 16-vjeçari udhëton drejt kryeqytetit dhe zbret në kryqëzimin e Zogut të Zi. Aty ai i telefonon të ëmës, duke i treguar për vrasjen e të atit, ndërsa sipas porosisë së saj shkon në Linzë tek dajat e babait, të cilët e dorëzojnë në polici. “Nëna më pyeti nëse babai ishte i dehur apo jo dhe unë i thashë, që sapo kishte pirë një shishe të plotë me raki”, tha 16 vjeçari. Menjëherë sapo dërgohet në Komisariatin nr. 4 ai pranon të rrëfejë krimin e rëndë, duke pohuar se kishte vrarë të atin për vetëmbrojtje. Pasi e tregoi ngjarjen dje në gjykatë, prokurori që kishte drejtuar hetimet paraprake i kërkoi gjykatëses, që drejtonte seancën të vendoste masën e sigurisë “burg pa afat” për adoleshentin, e cila u pranua nga gjykata, ndërsa ai vetë dhe mbrojtësja e tij e caktuar kryesisht, kërkuan  një masë më të lehtë sigurie. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›