Trafikonin klandestinë, “burg pa afat” anëtarëve të bandës “Verniku”
TIRANE – Gjykata e Tiranës vendosi dje masën e sigurisë “burg pa afat” për dy të arrestuarit e pak ditëve më parë gjatë operacionit “Verniku II”, nën akuzën e “dhënies ndihmë në kalimin e paligjshëm të kufirit”. Përpara gjykatëses së gatshme të kësaj jave në gjykatën e kryeqytetit u paraqitën 34-vjeçari Përparim Vata, lindur në Kukës dhe banues në Kamëz dhe Pandeli Goga, 54 vjeç, lindur në Lushnjë dhe banuese në kryeqytet. Për të dy këta persona e njëjta gjykatëse kishte vendosur katër ditë më parë masën e sigurisë “burg pa afat në mungesë”, sipas kërkesës së Prokurorisë së kryeqytetit. Gjatë një seance gjyqësore të zhvilluar mesditën e djeshme gjykatësja e gatshme bëri verifikimin e të pandehurve, çka rezultoi se ishin të njëjtët persona, që ishin hetuar që nga muaji qershor i këtij viti. Kurse vetë të pandehurit dhe avokatët e tyre të caktuar kryesisht nga gjykata nuk pranuan të jepnin shpjegime të hollësishme, ndërsa mohuan akuzat dhe kërkuan revokimin e masave të sigurisë, të vendosura në mungesë për ta. Prokurori që kishte drejtuar hetimet në ngarkim të së akuzuarve pohoi, se dy të pandehurit janë vënë në pranga nga efektivë të antitrafikut të policisë së kryeqytetit, pasi specialistët e këtij seksioni në vazhdimësi të operacionit “Verniku”. Në qershor të këtij viti u vunë në pranga tre persona, teksa u kapën duke tentuar të trafikonin disa klandestinë për në Greqi nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të Kapshticës. Klandestinëve, sipas prokurorisë u merreshin nga trafikantët shuma që nisnin nga 700 euro, të cilat ndaheshin nga personat, që i “rekrutonin” në kryeqytet e deri tek ata që i kalonin matanë kufirit. fa.ma.