Spitali “Nënë Tereza”, mjekët frikë nga arrestimet
Mjekët e spitalit “Nënë Tereza” ditët e fundit janë më në ankth se kurrë. Pas 2 arrestimeve të njëpasnjëshme në radhët e bluzave të bardha, ka marrë dheun edhe një tjetër lajm. “Do të ketë edhe të tjerë. Edhe këta “Kockë e fortë”, shprehet nën zë personeli i spitalit. Paskësaj kanë nisur edhe aludimet për “fatkeqin” e radhës, që do të futet në pranga. Madje, burime të sigurta nga QSU, bëjnë me dije se disa prej shefave të klinikave kanë ikur jashtë vendit sa të qetësohet situata. Tensioni u lexohet në fytyrë edhe specialistëve më të thjeshtë. Ndërkaq, grupi Task- Force që ka shënjestruar spitalin, duket se ka mbledhur të dhënat që i duhen. Për përgjimet sipas burimeve nga polica, ekspertët janë bazuar mbi denoncimet e pacientëve. Por më prapa nuk mbeten edhe pazaret tashmë të njohura që bëhen në spital. Këto i di edhe pacienti më i thjeshtë e nuk është vështirë të gjurmohen. Ndonëse drejtoria e spitalit “Nënë Tereza”, ka të depozituara jo pak ankesa nga pacientët, në pjesën më të madhe të rasteve është përpjekur t’i zgjidhë “hallet” brenda për brenda. Asnjëherë nuk është bërë publik ndonjë nga denoncimet e pacientëve, ndërkohë që burime brenda drejtorisë, pohojnë se janë me dhjetëra në ditë.