E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata, ndarja e pasurive dhe divorcet në krye të listës

25/11/2009  Çdo ditë shqyrtohen deri në 10 dosje. Kërkesat më së shumti nga gratë

DURRES- Pas Tiranës qyteti i Durrësit renditet në krye të listës së qyteteve me numrin më të madh të aplikimeve për prishje kurore si dhe për ndarje pasurie. Padi të shumta për ndarje mes çifteve vijnë e shtohen duke kapur rekorde në këtë vit. Deri në muajin tetor 2009 në gjykatën e Durrësit kanë paraqitur kërkesë për ndarje 180 shtetas, pjesa më e madhe e të cilave janë gra.

Gjyqet

Gjykata e rrethit gjyqësor në Durrës ka ndarë këto çështje mënjanë duke caktuar për drejtimin e seancave dhe marrjen e vendimeve gjyqtarë e gjyqtare me përvojë. Nga ana tjetër në ndihmë të togave të zeza janë afruar edhe psikologë e psikologe, të cilët janë të pranishëm në seancën paraprake të përpjekjeve për të bindur palët në shuarjen e mosmarrëveshjeve. Në një javë në gjykatën e Durrësit, në bazë edhe të një kalendari të publikuar në sallën e pritjes në katin e parë të godinës, zhvillohen deri në 10 seanca gjyqësore. Gjatë periudhës së verës dhe në fundviti vërehet se gjykatat kanë më shumë punë, pasi kjo është edhe periudha kur çiftet tentojnë t’i japin fund pritjeve apo mosmarrëveshjeve të gjata. Nisur nga një statistikë që afron gjykata mësohet se në krye të aplikuesve qëndrojnë emigrantë apo vajza e gra që i japin fund lidhjes në kurore më një shtetas që është emigrantë. Gjatë seancave gjyqësore çiftet tregojnë papajtueshmëri deri edhe agresivitet, ndërkohë që togat e zeza shprehen se shumë problematike bëhet vendimmarrja në rastet kur çiftet nuk kanë strehim të mjaftueshëm si dhe në rastet e vendosjes për kujdestarinë e fëmijëve. Fare pak seanca pajtimi përfundojnë në ribashkim të kurorës dhe sipas psikologeve që ndjekin seancat kjo është edhe përgjegjësi e gjykatësve. Për të tilla seanca ka fare pak trajnime dhe mungesa e formave të komunikimit me palët në konflikt bën që seancat të përfundojnë pa rezultat. Në harkun kohor të dhjetë muajve në gjykatë janë adresuar 180 kërkesa për ndarje dhe vetëm 6 prej tyre kanë mundur të mbyllen pa kaluar në fazën e seancave të shqyrtimit. Ndonëse nuk jepen detaje të hollësishme lidhur me statistikat dhe shkaqet që shtyjnë çiftet të ndahen janë të shumëllojshme.

Shkaqet dhe problemet me ndarjen e pasurisë

Emigrimi për shumë vite, gjendja ekonomike, xhelozia janë pjesa më e madhe e padive, por jo shumë pas tyre qëndrojnë prekja nga alkooli, droga, bixhozi etj. Më shumë se 95 për qind e ankimimeve në gjykatë me kërkesë prishje kurore shkon drejt “vullnetit” të palëve. Ajo që vihet re kohët e fundit ka të bëjë me moshën e palëve në konflikt. Nuk janë vetëm moshat e reja por edhe 45-50-vjeçarë që hynë e dalin në seanca të tilla në pritje të një vendimi. Gjyqtarë që merren me çështje të tilla thonë se kriza e kurorës është bërë shumë e brishtë në familjet qytetëse për shumë arsye. Të larta janë edhe statistikat e apelimeve për përpjesëtim pasurie. Në ndryshim nga të parat, përpjesëtimi i pasurisë zgjat më shumë në kohë, pasi kërkohet një dosje e madhe me dokumente, ndërsa procedura është më e ngadaltë dhe shumë më problematike. Edhe në këtë rast gjykatës i duhet të kërkojë ndihmën e ekspertëve dhe specialistëve për të dhënë arsyetimet e duhura, të cilat shpesh apelohen. Sipas gjykatës, në një javë paraqiten në gjykatë për çështje të tilla deri në 20-25 aplikime duke zgjatur edhe afatin e nxjerrjes së vendimit. Ekzekutimi i vendimeve është një problem më vete si për gjykatën edhe për institucionin e përmbarimit ngase ky i fundit ndesh në vështirësi, të cilat më së shumti janë objektive.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›