E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrau me thikë komshiun, se qeni ia kafshoi nënën

25/11/2009  Prokuroria mbyll hetimet për Nurij Alushin. Ekzekutoi shtetasin Gëzim Alushi

TIRANE- Vrasja me thikë e shtetasit Gëzim Alushi nga komshiu i tij Nurij Alushi, ka ndodhur për arsye se qeni i viktimës, para disa kohësh i kishte kafshuar nënën, autorit të krimit. Ky është konkluzioni përfundimtar i Prokurorisë së Tiranës, e cila tashmë ka mbyllur hetimet ndaj 35-vjeçarit Nurij Alushi, duke e dërguar atë në gjykatë si të pandehur për veprën penale të “vrasjes me dashje”. Sipas kërkesës për gjykim të përpiluar nga ekspertët e Prokurorisë së Tiranës, ngjarja në fjalë ka ndodhur më 15 shtator të këtij viti në fshatin Zall-Her të kryeqytetit. Nga informacionet e mbledhura në vendin e ngjarjes si dhe nga marrja e deklarimeve të të pandehurit Alushi, mësohet se sebepi i sherrit fillimisht është bërë qeni, i komshiut të tij, shtetasit Gëzim Alushi. Prokuroria thotë se qeni i kishte kafshuar nënën autorit të krimit dhe për këtë arsye ai ka debatuar ashpër me viktimën. Pasi kanë shkëmbyer fjalë të ndërsjella me njëri-tjetrin i pandehuri Nurij Alushi e ka qëlluar me thikë Gëzimin në pjesë të ndryshme të trupit. Viktima është dërguar menjëherë në Spitalin Ushtarak, por me gjithë ndërhyrjen e shpejtë kirurgjikale të mjekëve, ai nuk ka mundur të shpëtojë. Lidhur me këtë ngjarje të rëndë policia e kryeqytet ka mundur të arrestojë në kushtet e flagrancës të pandehurin Nurij Alushi, i cili ka deklaruar se nuk kishte dashur të vriste komshiun, por fjalët fyese dhe goditjet e tij karshi të pandehurit, kanë bërë që ky i fundit të vetëmbrohet duke e qëlluar me thikë. Mirëpo këtij versioni nuk i kanë besuar hetuesit e çështjes, të cilët në dosje kanë administruar prova dhe dëshmi, se 35-vjeçari i pandehur, e ka kryer krimin me vetëdije të plotë. Aktualisht çështja me nr. 2179 është regjistruar në gjykatën e Tiranës më 20 nëntor për akuzën e “vrasjes me dashje” dhe pritet që në ditët në vazhdim të fillojë shqyrtimi i çështjes në themel. Mësohet se procesin gjyqësor në ngarkim të të pandehurit Nurij Alushi, do e drejtojë gjyqtari Petrit Çomo.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›