E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gati vendimet për pensionet e ushtarakëve

25/11/2009  Ankimimi në Gjykatën Kushtetuese mban pezull zbatimin e ligjit të përfitimit suplementar

Ekspertët paraqesin dy versione për aktet nënligjore

Ekspertët e Ministrisë së Financave pritet të kalojnë për miratim në qeveri vendimet e posaçme për pensionet suplementare të ish-ushtarakëve dhe të liruarve nga Garda, policia e rendit apo ajo e burgjeve. Burimet kanë saktësuar se aktet nënligjore të kërkuara prej ligjit të miratuar në maj të këtij viti janë të përpiluara, por duke parë se çështja është ende në Gjykatën Kushtetuese, ekspertët kanë kërkuar më shumë kohë për të mos pasur përplasje, nëse Gjykata vendos abrogimin e pjesshëm të draftit. Ndërkohë që fondet për zbatimin e ligjit janë parashikuar në buxhetin e vitit të ardhshëm. Ashtu siç është deklaruar më parë, do të jetë ISSH-ja që do të administrojë skemën e pensioneve suplementare.

Diskutimi

Deri tani janë hedhur dy mundësi diskutimi në zbatimin e ligjit. i pari është zbatimi i ligjit para se të merret vendimi përfundimtar prej Gjykatës Kushtetuese, kjo duke respektuar faktin se Kushtetuesja interpreton përputhshmërinë e ligjeve me Kushtetutën. Ankimimi i një çështjeje në këtë gjykatë nuk do të thotë pezullim i zbatimit të ligjit, ndaj qeveria ka të gjitha të drejtat e zbatimit në këtë rast të pensioneve suplementare.

Mundësia e dytë është qëndrimi pezull i draftit. Kjo në respekt të administrimit të financave dhe të procesit të ndërmarrë në Gjykatën Kushtetuese për të mos ndërmarrë një veprim politik. Kështu, nëse Kushtetuesja vendos bllokimin e ligjit, atëherë do të duhet të tërhiqen edhe vendimet e zbatimit financiar të pensioneve suplementare, duke sjellë paqartësi të tjera. Gjithsesi, ekspertët e qeverisë në seancat e zhvilluara në gjykatë kanë deklaruar se ligji është plotësisht i drejtë.

Përplasja

Gjykata Kushtetuese, nga ana e saj, pritet të zhvillojë një tjetër seancë të ndërmjetme për të verifikuar procesin vendimmarrës së këtij ligji tejet të debatueshëm. Mësohet se vetëm pas paraqitjes së të dhënave të plota dhe ballafaqimit me Kuvendin e Shqipërisë Kushtetuesja do të tërhiqet për të dhënë një vendim përfundimtar. Ndërsa përfaqësuesit e Avokatit të Popullit si dhe ata të ish-ushtarakëve kanë kërkuar ndryshimin e disa neneve të ligjit, që kanë të bëjnë me masën e përfitimit suplementar si dhe afatet e përfitimit të pensionit të plotë dhe atij të pjesshëm.

Relacioni i qeverisë

Në projektbuxhetin e paraqitur për vitin e ardhshëm qeveria shprehet dhe për formën e zbatimit të përfitimeve suplementare. Ndërsa në relacionin mbështetës të buxhetit sqarohet dhe forma e realizimit. “Një detyrë mjaft e rëndësishme dhe me përgjegjësi vazhdon të jetë edhe administrimi i sistemit të sigurimeve suplementare dhe trajtimeve të veçanta të disa kategorive të veçanta sociale, siç janë trajtimet e veçanta për punonjësit e nëntokës dhe të industrisë ushtarake, sigurimet suplementare shtetërore, sigurimet shoqërore suplementare të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës së Shqipërisë, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit dhe të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm. Përfitimet nga këto skema kanë veçori dhe normohen nga disa ligje të veçanta.

• Përmbushjen e funksionit të ISSH-së në administrimin e fondeve disponibël të buxhetit të shtetit për programet dhe trajtimet e veçanta sociale dhe sigurimeve suplementare.

Në zbatim të këtyre politikave për vitin 2010 këto programe do të mbështeten me një buxhet të përgjithshëm prej 79 519 milionë lekë, pa përfshirë këtu fondet për rritjen e pensioneve të parashikuara në kontingjencën e qeverisë”, - thuhet në relacion.

Neni 16

Masa e përfitimit të pensionit suplementar të pleqërisë

Pensioni suplementar i pleqërisë llogaritet me 1 për qind të pagës mesatare referuese mujore për çdo vit shërbimi, por jo më shumë se 50 për qind e pensionit të pleqërisë që përfituesi gëzon në çastin e lindjes të së drejtës për pension suplementar.

Neni 14

Masa e përfitimit të pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi

1. Pensioni i parakohshëm për personat që plotësojnë kushtet e përfitimit është 50 për qind e pagës mesatare referuese mujore. Për çdo vit tjetër të vjetërsisë në shërbim, sipas përcaktimit, masa e pensionit shtohet me 2 për qind të pagës mesatare referuese.

2. Masa e pensionit të parakohshëm, e llogaritur sipas pikës 1 të këtij neni, në çastin që lind e drejta për përfitim:

a) për personat që nuk kanë paguar kontribute suplementare, nuk mund të jetë më e madhe se dyfishi i pensionit bazë të përcaktuar nga Këshilli i Ministrave në përputhje me ligjin nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar;

b) për personat që kanë paguar kontribute suplementare, nuk mund të jetë më e madhe se dyfishi i pensionit bazë të përcaktuar nga Këshilli i Ministrave në përputhje me ligjin nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, shtuar me 2 për qind të pagës mesatare referuese për çdo vit sigurimi suplementar. Në këtë rast shuma e pensionit mujor të parakohshëm nuk mund të jetë më e madhe se dyfishi i pensionit bazë të pleqërisë, plus 20 për qind të pagës referuese të muajit të fundit të punës.

3. Pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi ndërpritet kur përfituesi rikthehet në shërbimin aktiv.

4. Kur përfituesi i pensionit të parakohshëm punësohet në vende të tjera pune që nuk lidhen me funksionin e tij të mëparshëm, masa e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi bëhet sa një pension bazë i përcaktuar nga Këshilli i Ministrave në përputhje me ligjin nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.

5. Në rastet kur karriera është ndërprerë për shkaqet e përcaktuara në pikën 4 të nenit 12 të këtij ligji, e drejta për pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, nëse plotësohen kushtet e përcaktuara për këtë përfitim, fillon pas 24 muajve.

Neni 30

Ngarkohet Këshilli i Ministrave të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të neneve 3, 4, 5, pika 1, 11, 22, 23, pika 3, 24, pika 1, 26 e 29 të këtij ligji.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›