E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata nuk i toleron rrugorët që merrnin dymijëlekësha

Mbeten në burg pesë efektivët e Policisë së Korçës

Gjykata e Korçës ka lënë në burg pesë policët rrugorë të arrestuar nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm për korrupsion pasiv. Nisur nga provat filmike dhe fotografike, mbi bazën e të cilave është bërë arrestimi i pesë policëve të qarkullimit rrugor në linjat e Qarkut të Korçës, është vërtetuar se ata merrnin ryshfet nga drejtuesit e mjeteve. Gjykata e ka konsideruar të ligjshëm arrestimin, duke lënë si masë sigurie atë të arrestit me burg pa afat. Gentian Ravolli, Jani Kocillari, Genci Bregu, Esat Shalsa dhe Fatos Hymetllari do të qëndrojnë në burg për veprën penale për të cilën akuzohen dhe që parashikon një dënim deri në 8 vjet heqje lirie dhe gjobë.

Gjyqtari Markeljan Kuqo e konsideroi të ligjshëm arrestimin e pesë punonjësve të policisë, edhe pse kjo u kundërshtua nga ana e mbrojtjes, që kërkoi një masë më të ulët sigurie, pasi të pandehurit janë persona që nuk paraqesin rrezikshmëri shoqërore.

Nga ana e prokurorisë janë paraqitur provat dhe deklarimet e shumta që janë kryer nga drejtuesit e mjeteve në ngarkim të pesë të pandehurve. Policët merrnin nga 200 deri në 500 lekë prej shoferëve, në këmbim të mosvendosjes së gjobave për shkelje të rregullave të qarkullimit. Prokuroria pretendon se kundrejt këtyre pagesave të vogla, shoferët shmangnin gjoba që shkonin deri në 10 mijë lekë.
Gjatë leximit të akuzës, prokurori i çështjes sqaroi se ky grup policësh ka qenë nën mbikëqyrje prej të paktën pesë muajsh dhe gjatë kësaj kohe janë siguruar prova filmike që vërtetojnë marrjen e ryshfetit. Në dosje janë paraqitur dhjetëra raste konkrete, kur pesë policët rrugorë kishin marrë para nga shoferët, në shumat simbolike nga 200 në 500 lekë.

Pesë efektivët e policisë rrugore të Korçës u arrestuan tri ditë më parë gjatë një operacioni të organizuar nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Sipas të dhënave nga dosja hetimore, hetimi ka nisur pas ankesave të disa shoferëve dhe që nga muaji shkurt i këtij viti janë përdorur metoda speciale për të siguruar prova kundër policëve.
Të pesë të pandehurit janë mbrojtur dje nga i njëjti avokat, i cili nuk ka mundur ta bindë gjykatën se klientët e tij nuk janë persona të rrezikshëm dhe nuk ka siguruar dot një masë më të butë për ta.
Sot pritet që në Gjykatën e Korçës të vlerësohet masa e sigurisë edhe për një doganier të Kapshticës dhe tre persona të tjerë, që akuzohen për evazion me vlerë 10 mijë lekë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›