Pranga pesë personave, tentuan të trafikonin vepra arti në Maqedoni
Pesë persona janë arrestuar në Elbasan, pasi trafikonin vepra arti në Maqedoni. Arrestimi i tyre është bërë gjatë operacionit të koduar “Dera e mbyllur”, ndërkohë që oficerët e antitrafikut kanë sekuestruar edhe një sërë materialesh të vjedhura. Burimet policore bënë të ditur se strukturat e Policisë së Shtetit, gjatë ditës së djeshme finalizuan operacionin policor të koduar “Dera e Mbyllur”, në kuadër të të cilit u bë i mundur arrestimi në flagrancë i shtetasve Ilir Ali Kera, 36 vjeç, Reshit Fetah Hyseni, 29 vjeç, Nebi Idriz Guracaku, 49 vjeç, Gramoz Asllan Poshja, 34 vjeç dhe Armand Sami Meta, 26 vjeç, që të gjithë me banim në rrethin e Elbasanit. Finalizimi i këtij operacioni u bë i mundur në sajë të një hetimi të vazhdueshëm të kryer nga Drejtoria Kundër Krimit të Organizuar në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Qarkut Elbasan. Në momentin e arrestimit të këtyre personave është bërë e mundur gjetja e sekuestrimi në cilësinë e provës materiale i sendeve me vlera kulturore pjesë e trashëgimisë sonë kombëtare. Sipas të dhënave, policia ka sekuestruar një kambanë kishe, me peshë 50 kg, e gdhendur në material bronzi për të cilën mendohet se i përket vitit 1700, tri piktura, të gdhendura në material bakër me përmasa të ndryshme, që mendohet se mund të jenë të viteve 1700-1800, një ikonë kishe, si dhe sende dhe objekte antike të ndryshme të gdhendura në material sermi, të cilat janë vepra arti e kulture në formë monedhe, që i përkasin pasurisë kombëtare. Sendet e mësipërme, personat e arrestuar po përpiqeshin t’i trafikonin për shitje në Maqedoni, kundrejt shumës 20 mijë euro, prova këto të siguruara në rrugë ligjore. Me cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 128.000 lekë të reja, 300 euro, dy armë gjahu teke që mbaheshin prej tyre pa leje dhe dy automjete të tipit “Mercedes Benz”, me targa EL 3593 C dhe EL 9811 B, të cilat u përkasin autorëve të kësaj vepre penale. Ndaj personave të mësipërm është marrë masa e arrestit në flagrancë për veprën penale të “Trafikimit të veprave të artit dhe kulturës”, e kryer në bashkëpunim. Materialet procedurale në ngarkim të tyre i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme. Goditja e grupeve kriminale të implikuara në trafikimin e veprave të artit dhe të kulturës, pjesë e trashëgimisë tonë kulturore është në vijim dhe të Planit Kombëtar të Veprimit “Për parandalimin dhe luftën kundër veprave të artit dhe të kulturës”, i cili po ndiqet me të gjitha institucionet shtetërore të angazhuara në administrimin, ruajtjen dhe inventarizimin e pasurive kulturore të vendit.
#