E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata pezullon Krenar Ahmetin, kërkon ballafaqim me prokuroren

TIRANE - Pezullohet kreu i qarkullimit Krenar Ahmetit. 

Gjykata e Tiranës vendosi dje të pranonte kërkesën e Prokurorisë për pezullimin nga detyra të komisar Ahmetajt derisa të përfundojë procesi penal në ngarkim të tij për "kryerje veprimesh arbitrare" dhe "tejkalim kompetencash". Dispozitivi i vendimit të djeshëm të gjykatës ishte: "Caktimi si masë sigurimi personal me karakter ndalues ndaj personit nën hetim Krenar Ahmeti, atë të pezullimit të përkohshëm nga ushtrimi i detyrës, deri në përfundim të gjykimit të kësaj çështje. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim brenda 10 ditëve nga e nesërmja e shpalljes në Gjykatën e Apelit Tiranë ose rekurs i drejtpërdrejtë në Gjykatën e Lartë. U shpall sot më datë 9 qershor 2008, ora 16:15". E njëjta masë u kërkua nga Prokuroria, ndërsa mbrojtësi i Ahmetit kërkoi rrëzimin e saj. Para gjyqtares së gatshme që shqyrtoi këtë kërkesë, përfaqësuesi i organit të akuzës pohoi se më datë 26 maj 2008, në Prokurorinë e Tiranës është paraqitur për të bërë kallëzim penal shtetasi Hasan Nezaj ndaj kreut të Policisë Rrugore të kryeqytetit, Krenar Ahmeti, i cili sipas tij, për interesa personale duke përdorur autoritetin e Policisë së Shtetit, në kundërshtim me ligjin dhe në tejkalim të kompetencave ligjore, ka shoqëruar atë në Komisariatin e Policisë nr. 2, Tiranë pasditen e një dite më parë. Sipas prokurorit, po kështu po i njëjti person i identifikuar me emrin Krenar Ahmeti, më datë 17 maj 2008, në vendin e quajtur Bulevardi Qendror ka shoqëruar për në të njëjtin komisarit prokuroren E.I., së bashku me bashkëshortin e saj Agron Bajri, pavarësisht se është njohur me faktin se është prokurore, dhe në mënyrë krejt të panevojshme dhe arbitrare, ka bërë incident me ta, duke kryer veprimin arbitrar të mësipërm. Vetë i akuzuari dhe avokati i tij mbrojtës para gjyqtares së gatshme Majlinda Doga e mohuan akuzën, duke pretenduar se ajo ishte e pavërtetë, ndërsa Ahmeti i kërkoi gjykatës ballafaqim me prokuroren që e kishte denoncuar. Seanca për vendosjen e masës ndaluese në ngarkim të tij nisi paraditen e djeshme dhe vazhdoi për mëse pesë orë, kohë gjatë së cilës dhanë deklarime palët dhe gjykata arsyetoi dhe zbardhi vendimin, për t'ua dorëzuar palëve në momentin e shpalljes.           fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›