E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza ndërkombëtare e naftës paralizon peshkimin

Në Durrës paralizohet totalisht gjuetia në det. Greva e peshkatarëve italianë, spanjollë, holandezë dhe portugezë u ka prerë përfundimisht shpresat peshkatarëve shqiptarë, të cilët deri dje i mbushnin serbatorët në portet e BE-së. 

DURRES/ OERD ULQINI

 Tashmë edhe në Itali nafta për peshkatarët kushton afro 20 cent më shumë, duke arritur kuotën e 70 centëve për litër. Me këtë raport të ri motobarkave shqiptare nuk u leverdis më udhëtimi në portet italiane, pasi dalin me humbje. Në sektorin e peshkimit të Durrësit ka rënë zia. Ata janë pesimistë edhe për zbatimin e skemës që parashikon furnizimin e peshkimit me çmimin e bursës dhe pa akcizë, pasi vlera ndërkombëtare e arit të zi po trondit botën. Ndërsa pritet miratimi në parlament i marrëveshjes së vendosur për të blerë naftë me çmim akcize, dhe kjo zgjidhje për ta duket e pashpresë tashmë.
"Unë jam një nga ata që furnizoheshin në Itali me naftë, por tani anija ime është lidhur prej dy javësh në mol, pasi edhe në Brindisi çmimi është rritur së tepërmi. Me këtë çmim të ri të naftës udhëtimi na del me humbje, ndaj tani nuk na mbetet asnjë rrugë shpëtimi. Sektori i peshkimit është një hap larg falimentimit dhe shumë shpejt peshku do të bëhet një ushqim tepër i rrallë", shprehet Erjon Troplini, pronar i një peshkarexhe. Dispeçeria e peshkimit njofton se situata është rënduar si asnjëherë më parë. "Vetëm 5 peshkarexha kanë dalë për gjueti nga 120 që numëron Durrësi. Edhe ato po gjuajnë pranë brigjeve, pasi po shpenzojnë pikat e fundit të naftës", u shpreh dispeçeri Nevzat Kanina. Durrësi është përfshirë në krizën globale të naftës, e cila mund të sjellë një grevë të paralajmëruar. "Thika ka arritur në palcë. Shumë shpejt edhe këtu do të rifillojnë protestat, pasi do ta kemi të pamundur ta blejmë naftën me çmimet e bursës", tha Troplini. Në peshkarexhën e tij ekuipazhi po merret me riparimin e rrjetave, pasi serbatorët e anijes janë boshatisur me kohë. Deri dy javë më parë një tjetër alternativë e peshkatarëve shqiptarë kishte mbetur furnizimi në Greqi, por tashmë edhe aty çmimi i naftës kushton më shtrenjtë se në Itali.

Pasojat në qytetin e turizmit

Mbi 2000 peshkatarë të papunë, qindra restorante pa klientelë, afro 200 mijë dollarë më pak taksa nga dorëzimi i licencave të peshkimit. Këto janë disa prej pasojave katastrofike për ekonominë e Durrësit që sjell kjo krizë në pragun e sezonit turistik. Veç kësaj mbi 5 mijë familje durrsake rrënohen çdo ditë nga kriza e karburantit. Shumë kryefamiljarë të punësuar si peshkatarë, shitës, magazinues frigoriferikë të peshkut, konservues të tij apo kuzhinierë të restoranteve me bazë peshku kanë mbetur në mes të katër rrugëve. Ky është dëmi më i madh social-ekonomik që ka njohur sektori që nga fillimet e flotës peshkuese. Deri dy javë më parë ky sektor mbijetonte falë furnizimit me naftë në Itali, vend ku karburanti pa akcizë blihej me 50 cent për litër. Tashmë peshkatarëve durrsakë nuk u ka mbetur gjë tjetër, veçse të bëhen pjesë e revoltës panevropiane në peshkim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›