E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të dashur sigurimsa, LARGOHUNI!

Eduard Zaloshnja 

Para 11 dhjetorit 1990, sa  herë që bisedat me kushërinj apo shokë të mij shkonin drejt hullive paksa të rrezikshme politike instinkti primordial i vetëmbrojtjes më shtynte t’i bëja pyetje vetes nëse ndonjëri prej tyre ishte spiun i Sigurimit të Shtetit. Kjo frikë instinktive bëhej më e madhe nga fakti se shumë prej kushërinjve e shokëve të mij hynin në kategorinë e atyre që, në atë kohë, quheshin “me biografi të keqe”. Dhe pikërisht njerëz të tillë ishin në shënjestrën e rekrutimit të të frikshmit Sigurim.
Në muajt dhe vitet pas 11 dhjetorit 1990, ndjenja e frikës nga spiunët potencialë të Sigurimit e zuri krupa që ndjeja sa herë dyshoja se ndonjë nga kushërinjtë apo shokët e mij mund të kishte pas qenë i tillë. Por me kalimin e viteve, vendin e krupës e zuri ndjenja e keqardhjes për torturat psikologjike që kishin kaluar ata të persekutuar, që Sigurimi i Shtetit i kishte rekrutuar me metoda të dhunshme enveriane. Dhe tani, ka ardhur një pikë që nuk më ndodh më ta vras mendjen nëse iks kushëri apo ipsilon shok ka pas qenë spiun i Sigurimit. Me pakë fjalë, tani kam bërë paqe me shpirtin, dhe i kam falur në mendjen time të gjithë ata që, në mënyrë barbare, janë detyruar prej Sigurimit të Shtetit të spiunojnë kushërinjtë apo shokët e tyre të ngushtë.
Sidoqoftë, ca njerëz, unë, dhe ma do mendja edhe shumica e shqiptarëve, nuk mund t’i durojmë dot t’i shohim në poste të larta shtetërore. Për shembull, si mund të durojmë ne sot të kemi në poste të larta shtetërore një ish-anëtar ose ish-kandidat të Byrosë Politike, apo një ish-anëtar të Komitetit Qendror të PPSH-së (përveç rasteve kur ai/ajo mund të ketë vepruar kundër vijës zyrtare apo është larguar vetë nga detyra në mënyrë publike)? Po një ish-kryetar të Gjykatës së Lartë apo ish-prokuror të Përgjithshëm a mund ta durojmë? Dhe e njëjta gjë mund të thuhet për një ish-drejtues të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ish-punonjës të Sigurimit të Shtetit, ish-anëtar të Komisionit Qendror të Dëbim-Internimeve, hetues apo ndihmëshetues, prokuror apo ndihmësprokuror, dhe gjyqtar apo ndihmësgjyqtar në procese politike. Për të vazhduar më tej pastaj me ata që kanë ofruar dëshmi të sajuara në procese gjyqësore politike, apo me bashkëpunëtorët e paguar të Sigurimit të Shtetit të karakterit politik. Dhe për ta mbyllur në fund me bashkëpunëtorët vullnetarë të këtij karakteri.
Ma do mendja se shumica e shqiptarëve nuk do deshte të shihte ndonjërin prej njerëzve të përmendur më sipër në postin e Presidentit të Republikës, Kryeministrit, deputetit, ministrit, zv/ministrit, funksionarit politik apo sekretarit të përgjithshëm të ministrisë, si dhe drejtorit të drejtorive të dikastereve dhe institucioneve të tjera shtetërore qendrore ose të pavarura.  Gjithashtu, njerëzit e sipërpërmendur mirë bëjnë të mos jenë anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, gjyqtarë apo prokurorë pranë gjykatave dhe prokurorive të të gjitha niveleve, si dhe funksionarë në Forcat e Armatosura, në Shtabin e Përgjithshëm të ushtrisë, apo oficerë me gradë “Kolonel” e sipër. Dhe lista mund të vazhdojë, me prefektët, kryetarët e këshillave të qarkut, kryetarët e bashkive dhe komunave, punonjësit e Shërbimit Informativ Shtetëror, Shërbimit Informativ Ushtarak, Shërbimit Informativ të Rendit, të Gardës së Republikës, me drejtorin e Policisë së Shtetit deri në nivel qarku dhe komisariati, drejtuesit e përfaqësive diplomatike, me rektorë dhe zv/rektorë të universiteteve publike, si dhe me çdo person tjetër të dekretuar nga Presidenti i republikës apo të zgjedhur nga Kuvendi.
Për një ndjekës të vëmendshëm të zhvillimeve politike në Shqipëri, nuk është e vështirë të konstatojë se dy listat e mësipërme të mijat janë pothuaj identike me ato që ka propozuar PD-ja në projektligjin e saj, shumë të kundërshtuar nga PS-ja.  Mua, dhe ma do mëndja edhe shumë shqiptarëve të tjerë, jo gjithmonë na ka qëlluar të jemi në një mendje me PD-në, por kësaj radhe ajo duket se ka hartuar një projektligj mëse të goditur.  Për këtë arsye, të dashur deputetë socialistë, bashkojeni votën me PD-në, në mënyrë që të dashurve sigurimsa t’u themi më së fundi: “Largohuni nga jeta publike, dhe vazhdojeni jetën tuaj meskine sa më larg syve tanë!”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›