Gjykata rrëzon akuzat për vrasje në Gërdec, rebelohen familjarët

Zamira Durda
Në Gërdec nuk ka pasur vrasje. Kështu ka vendosur Gjykata e Tiranës, e cila ka lehtësuar nga akuzat për vrasje tre të akuzuarit kryesorë, Ylli Pinari, Dritan Minxolli dhe Mihal Delijorgji. Ata akuzoheshin për vrasje në rrethana cilësuese. Një vendim i tillë ka irrituar ndjeshëm të afërmit e viktimave që ishin në sallën e gjyqit. Më e irrituar është shfaqur Zamira Durda, e cila ka bërë betejë personalisht për të dënuar personat që i kanë vrarë djalin në Gërdec. Durda ka vënë duart në dyert e gjykatës për të mos lejuar njerëzit të dalin jashtë. Liruat personat që më vranë djalin 6 vjeçar duke luajtur me lodra, tha ajo. Më vratë për herë të dytë. Është dashur ndërhyrja e policisë që ajo të lirojë derën. Por në sallë kishte shumë pak familjarë të viktimave gjithsesi, të cilët janë dorëzuar në betejën e tyre për drejtësi.