Gjykata rrezon mbrojtjen e kreut te Omonia-s Naum Disho
Gjykata e Shkallës së Parë në Korçë rrëzoi kërkesën ankimore të kreut të OMONIA-s Naum Disho, për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të formës së prerë të Gjykates së Apelit, e cila e dënoi Dishon disa javë më parë me një vit burg, për dhunim të varreve të Boboshticës. Mbrojtja i ka kërkuar gjykatës shtyrjen e ekzekutimit të vendimit për një afat 6 mujor me argumentin se gjendja shëndetësore e tij është problematike. Ai momentalisht është drejtues i njëbiznesi, dhe për më tepër, duke qenë kreu i OMONIA-s ka veprimtari intensive politike. Nga ana tjetër Prokuroia ka kërkuar rrëzimin e kërkesës për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit, pasi sipas akuzës nuk plotësohen kriteret që parashikon ligji, në raste të tilla. I të njëjtit mendim ka qenë dhe gjyqtari i çështjes, i cili ka vendosur rrëzimin e kërkesës për shtyrjen e ekzekutimit si të pabazuar në prova. Pas kësaj pala mbrojtëse është shprehur se do t’i drejtohet Gjykatës së Apelit për të ankimuar vendimin e Shkallës së Parë.