Rama: “28 qershori, dita kur shqiptarët shkruan historinë”
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka votuar dje në shkollën “Pjetër Budi”. Kreu i PS-së shkoi në qendrën e votimit së bashku me nënën, djalin dhe vëllanë e tij. Pasi ka dalë nga qendra e votimit, Rama u ka bërë thirrje qytetarëve që të votojnë të lirë, ka apeluar për qetësi, duke deklaruar se 28 qershori është dita kur Shqipëria bën historinë. “Kjo është një ditë e bukur për familjen shqiptare, ashtu si familja ime sot është bashkuar. Me ta është bashkuar një masë e madhe emigrantësh që janë këtu për të marrë një vendim historik brenda normalitetit dhe qetësisë që meriton. Normalitet dhe qetësi që duhet të jepet nga të gjitha forcat e rendit dhe nga të gjitha forcat tona qytetare që kemi angazhuar për të nxjerrë vendimin e pacenuar të popullit”, - u shpreh Rama. Kreu i PS-së i ka bërë thirrje edhe kryeministrit Sali Berisha që ta presë me qetësi rezultatin e zgjedhjeve.
29 Qershor 2009