E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrobat zbuluan grabitjen me maska

Një pakujdesi e hershme e vetë atij, ka zbuluar implikimin e policit të qarkullimit rrugor të Tepelenës, në grabitjen me armë dhe me maska të furgonit të linjës Përmet-Tiranë, më 20 shkurt 1999. 

Trazhgim Sokolaj

Ai ra në pranga mbrëmjen e të martës nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, pas një vendimi të Gjykatës së Gjirokastrës, e cila firmosi vendimin për arrestimin e Refat Kanushit, polic qarkullimi në Tepelenë, i akuzuar tashmë për grabitje me armë. Vetëm dy ditë pasi kishte kryer grabitjen me armë, ai ka lëvizur në qytetin e Përmetit, me të njëjtat rroba që kishte përdorur gjatë vjedhjes, duke u zbuluar fare rastësisht nga dy prej pasagjerëve që ndodheshin në furgonin e grabitur. Ngjarja ka ndodhur më 20 shkurt 1999 kur 27-vjeçari i arrestuar, ende nuk kishte veshur uniformën e policisë. Së bashku me disa persona të tjerë, Refat Kanushi akuzohet se më 20 shkurt 1999 rreth orës 01:00 pas mesnatës, në afërsi të fshatit Vasjar, 12 kilometra në veri të Tepelenës, kanë ndaluar një furgon me targa të Përmetit. Grupi i personave të maskuar dhe të armatosur u ka kërkuar pasagjerëve të furgonit të nxjerrin të gjitha paratë, bizhuteritë dhe sendet me vlerë që kishin me vete dhe t’i dorëzonin ato pa qenë e nevojshme të ushtrohet dhunë. Pasagjerët nuk janë bindur fillimisht dhe kjo ka shkaktuar irritimin e grabitësve. Me pjesëmarrjen e efektivit të Policisë Rrugore të Tepelenës, Refat Kanushi, ata i kanë nxjerrë pasagjerët nga furgoni dhe i kanë mbajtur për katër orë në breg të lumit të Vjosës, duke ushtruar dhunë e tortura ndaj tyre. Gjatë kësaj kohe, grabitësit kanë kontrolluar në furgon nëse pasagjerët kishin fshehur para apo sende të çmuara aty. Pasi kanë arritur t’u marrin pasagjerëve gjithçka kishin me vete, grabitësit janë larguar nga vendi i ngjarjes.
Zbulimi nga rrobat
Por vetëm dy ditë më pas, dy prej pasagjerëve të dhunuar e të grabitur, kanë qenë në tregun e qytetit të Përmetit, kur kanë parë një person, i cili mbante të njëjtat rroba si njëri prej personave, që i kishte grabitur ata me armë më 20 shkurt 1999, kur po udhëtonin me furgon drejt Tiranës. Pasagjerët e dhunuar janë afruar tek ky person të nxitur nga dyshimet e shkaktuara prej veshjes së tij, dhe kanë parë fytyrën e vërtetë të Refat Kanushit, kësaj radhe pa maskë. Dy prej pasagjerëve që ndodheshin në furgon kanë krijuar dyshimin, se personi që ndodhej në tregun e Përmetit, ishte ai që i kishte grabitur e dhunuar si dhe u kishte marrë paratë nën kërcënimin e armës. Të dëmtuarit kanë lajmëruar policinë, e cila nuk mundi të ndalonte këtë person, por pasagjerët nuk kishin harruar jo vetëm ngjarjen e rëndë, që kishin përjetuar mbrëmjen e 20 shkurtit 1999, por as fytyrën e njërit prej personave që kishte marrë pjesë në grabitje. Rreth nëntë vite pas ngjarjes së harruar, kur janë thirrur në polici, pasagjerët e furgonit të grabitur kanë pohuar, se ai ishte personi që i kishte grabitur, kur në ambientet e policisë janë përballur në paraqitje për njohje me efektivin e policisë së qarkullimit rrugor të Tepelenës. Ky i fundit, menjëherë pas dëshmisë së pasagjerëve të furgonit të grabitur u mor i pandehur për grabitje me armë dhe pas sigurimit të provave e dëshmive të tjera nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, u arrestua mbrëmjen e të martës me autorizim nga Gjykata e Gjirokastrës dhe me kërkesë të Prokurorisë së këtij qyteti. Ai ishte pranuar në polici në vitin 2001 vetëm dy vjet, pasi akuzohet se ka kryer grabitjen me armë dhe me maska bashkë me disa persona të tjerë.

Polici rrugor mohon akuzën pas arrestimit
Në ambientet e policisë së Gjirokastrës, ku po mbahet i arrestuar me akuzën e grabitjes me armë në bashkëpunim, efektivi i Policisë Rrugore të Tepelenës Refat Kanushi, sapo është përballur me komunikimin e akuzës nga grupi hetimor i çështjes, ka hedhur poshtë çdo implikim të tij në grabitje me armë. Megjithatë, burimet e Prokurorisë thanë se provat për vjedhjen me armë të 20 shkurtit 1999, janë të pakundërshtueshme.

“Grabitësi me uniformë”, sot para gjykatës
Prokuroria e Gjirokastrës ka bërë kërkesën për caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg”, ndaj oficerit të Policisë Rrugore të Tepelenës Refat Kanushi, i arrestuar të martën me akuzën e grabitjes me armë. Ai sot pritet të dalë para gjykatës për masën e sigurisë, ndërsa Prokuroria, SHKB dhe policia po zgjerojnë hetimin për implikimin e Kanushit në vepra të tjera penale kundër personit dhe pasurisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›