Gjykata turke, padi kundër ushtarëve izraelitë
Një gjykatë në Turqi ka ngritur padi kundër oficerëve të ushtrisë së Izraelit për vrasjen e nëntë shtetasve turq në vitin 2010, pas një sulmi në anijen e tyre, që po shkonte për në Gaza me ndihma për popullsinë e izoluar aty. Gjykata turke kërkon burgim të përjetshëm për ta, pasi i njeh fajtorë për nxitje të vrasjeve dhe torturës. Sipas agjencisë Anadollia, paneli i gjykatësve në Stamboll e ka miratuar unanimisht padinë kundër ish-shefit të ushtrisë së Izraelit, Gabi Ashkenazit, si dhe ndaj komandantëve të flotës detare dhe asaj ajrore, si dhe udhëheqësit të shërbimit të inteligjencës së ushtrisë. Paditë u ngritën vetëm disa ditë para përvjetorit të dytë të sulmit të komandove izraelitë kundër anijes Mavi Marmara, një sulm që tensionoi marrëdhëniet mes Turqisë dhe Izraelit.