E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grid Rroji - Ju rrëfej lidhjen time 4 vjeçare me gazetaren kineze

Panorama PLUS 

Klotilda Harka

Ka ardhur nga Amerika për të qenë pjesë e stafit të kryeministrit Berisha dhe natyrisht ka vizionin e tij për mënyrën e punës. Grid Rroji na shpjegon detajet e punës së tij por  na zbulon edhe disa të fshehta nga jeta private.
Përshëndetje Grid! Shoh që qenkeni i zënë me punë. Por jam kurioze të di, ku do e kaloni këtë verë?
Në Shqipëri, do vazhdoj të bëj punën time. Një pjesë e angazhimeve janë pasqyrimi i turit Shqipëria në NATO, si dhe promovimi i arritjeve të qeverisë.
S’do bëni pushime?
Nuk kam planifikuar asgjë.
Meqë jemi këtu, si shkoni me Juela Meçanin, thuhet që keni kontradikta?
Me zonjën Meçani kam marrëdhënie të ngushta profesionale dhe bashkëpunim korrekt.
Jeni ndopak cinik?
Absolutisht jo. Përkundrazi, nganjëherë besoj tek njerëzit më shumë seç duhet. Megjithatë nuk mendoj se kjo më ka penguar në punën time.
Kjo punë që bën, çdo të thotë për ju?
Eshtë një punë që kërkon përkushtim maksimal. Të punosh për qeverinë e vendit tënd është fat, që u jepet shumë pak njerëzve. Po ashtu është fat, të punosh me një kryeministër kaq aktiv.
A ndjeheni i lodhur, pasi ju duhet të ndiqni ritmin e kryeministrit?
Absolutisht jo, përkundrazi ritmi i tij më stimulon.
Komunikimi me Berishën?
Për shkak të punës që bëj, është komunikim gjithnjë dinamik.
Të largohemi pak nga puna, ju shohim larg thashethemeve. Kaq shumë fshiheni?
I vlerësoj shumë thashethemet, por nuk më ka ndodhur të jem pjesë e tyre. Nuk besoj se jeta që bëj unë, ka shumë vend për faqet rozë të shtypit.
D.m.th., janë gazetat ato që nuk interesohen për ju?
Nuk besoj. Ndoshta ka të bëjë me karakterin tim që priret drejt privates. Jam tip që kam një rreth miqsh shumë të ngushtë. Kur kam kohë preferoj të çlodhem në një bar, apo restorant të qetë.
Doni të thoni, që nuk frekuentoni pub-et?
Po, e drejtë nuk i frekuentoj.
Po për vajzat, çfarë preferencash keni?
Më pëlqejnë vajzat e thjeshta, (por jo të lehta të kuptohemi). Pa shumë ekzagjerime, por të drejtpërdrejta, gazplota, tokësore.
Besoj e keni gjetur një të tillë?
Kam një lidhje afatgjatë me një vajzë joshqiptare.
E dashura juaj është vërtet nga Kina?
Unë nuk i ndaj njerëzit nga shtetet.
Nëse më thoni emrin, mbase kuptoj diçka?
Harroje! (qesh) Të thashë që jam i prirur drejt privatësisë.
Atëherë ma përshkruaj.
Është vajzë e bukur sipas meje, kurioze dhe shumë e thjeshtë.
Çfarë profesioni bën?
Gazetare.
Dhe sa vjeç?
30 vjeç.
Si u njohët?
Jemi njohur 4 vite më parë në Nju Jork (SHBA), gjatë punës si koordinator i Marrëdhënieve me Publikun pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ku ajo punon ende. Ishim kolegë.
Si gazetare si është?
Gazetare kurioze, e zonja. Ka punuar për dy kompani mediatike “Knight-Ridder” dhe “New York Times”.
Besoj ka ardhur t’ju takojë në Tiranë?
Po. Ishte këtu në dhjetor 2007-janar 2008. E ka pëlqyer shumë Shqipërinë dhe mendon që është vend, ku mund të jetohet mirë.
Kujt ia keni prezantuar?
Miqve të ngushtë, me të cilët kaloj kohën e lirë.
Mendoni se kjo lidhje mund t’u çojë në martesë?
Pse jo.
Grid, ju në fakt keni fatin ta shihni Shqipërinë nga një pozicion shumë strategjik. Si ju duket?
Shqipëria është një vend i bukur, që po zhvillohet me shpejtësi marramendëse dhe përditë u afrohet standardeve evropiane që kërkojnë shqiptarët. Me marrjen e ftesës për në NATO dhe me zhvillimet e këtyre viteve të fundit Shqipëria është një vend, që mund të asociohet tashmë me zhvillimin, sigurinë, progresin. Shoh që përditë i afrohemi Evropës në kuptimin e gjerë të fjalës, dhe kjo më kënaq. 
Shumë vite larg, si i keni ruajtur lidhjet me Shqipërinë?
Lidhjet me vendin tim i kam ruajtur përmes kontakteve me miqtë dhe vizitave që kam bërë, por edhe me anë të shtypit.
Do ta vazhdoni jetën këtu?
Amerikanët thonë se vetëm dy gjëra janë të sigurta, taksat dhe vdekja. Por mendoj se Shqipëria më ka ofruar mundësi, të cilat do t’i eksploroj deri në fund.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›