Reagimi i avokatëve/ Strategjia e gabuar e prokurorisë - nuk hetoi pjesëmarrësit në dhunën përpara Kryeministrisë”
Avokati mbrojtës i Agim Llupos, Besnik Çerepja, një ditë para vendimit të Gjykatës, akuzoi Prokurorinë, duke deklaruar se në asnjë moment të hetimeve, përfaqësuesit e akuzës nuk kanë hetuar dhunën ndaj efektivëve të Gardës, të cilët sipas tij, kanë qenë të detyruar të qëllojnë në ajër dhe në asnjë rast nuk kanë qëlluar drejtpërdrejtë në turmë.
Ashtu si edhe kolegu i tij, edhe avokati i ish-komandantit të Gardës, Ndrea Prendi, Genc Gjokutaj, kundërshtoi akuzën e Prokurorisë për vrasje me arsyetimin se ka mungesë provash. Po sipas Gjokutajt, prokurorët e çështjes nuk kanë evidentuar faktin se forcat e Gardës u ndodhën të vetme dhe në numër shumë të vogël përballë turmës. Në fund të mbrojtjes, Genc Gjokutaj kërkoi pafajësi për ish-komandantin e gardës, Ndrea Prendi.
Ndërsa një javë më parë u dha pretenca e Prokurorisë, e cila kërkoi 48 vjet burg për dy prej të akuzuarve kryesorë për ngjarjet e 21 janarit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku mbetën të vrarë 4 demonstrues. Organi i akuzës pretendon se gardistët kanë qëlluar drejtpërdrejt mbi demonstruesit dhe për këtë arsye ka kërkuar 23 vjet burg për ish-shefin e Gardës së Republikës, Ndrea Prendi, i akuzuar për vrasjen e demonstruesit Faik Myrtaj dhe 25 vjet burg për ish-gardistin Agim Llupo, duke e cilësuar fajtor për vrasjen e Ziver Veizit dhe Hekuran Dedës, ndërsa e vetmja vrasje ende e pazbardhur e protestës së 21 Janarit është ajo e Aleks Nikës, për të cilën Prokuroria ka theksuar se është akoma në hetim. Edhe pse kërkoi dënime me burg për gardistët me një akuzë të formuluar gabim profesionalisht, organi i akuzës nuk ngriti asnjë herë padi penale për organizatorët e dhunës së 21 janarit.
Për detajim dhe informacion të shtuar prokurorisë, neni 221 i Kodit Penal, thotë se, “pjesëmarrja në veprime masive të dhunshme, si vendosje pengesash apo barrikadash për të ndalur forcat e rendit, rezistenca me armë apo çarmatosja e tyre, pushtimi me forcë i ndërtesave, kryerja e plaçkitjeve, grumbullimi apo vënia në dispozicion e armëve, municioneve dhe njerëzve, krijimi i lehtësirave në favor të kryengritësve, të bëra për të përmbysur rendin kushtetues, dënohen më burgim nga pesëmbëdhjetë gjer në njëzet e pesë vjet. Marrja pjesë si udhëheqës apo organizator në veprimet e mësipërme dënohet me burgim të përjetshëm”.
Dhe neni 236 i Kodit Penal, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” me qëllim për ta penguar atë për të kryer detyrën sipas ligjit, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.
“Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose duke ushtruar dhunë fizike ose më shumë se një herë, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në shtatë vjet”.
Pra, prokuroria i ka pasur të gjithë mekanizmat ligjorë, për të bërë një hetim të thelluar rreth demonstratës së dhunshme të 21 janarit, organizatorët e dhunës së paprecedentë, kundërshtimi i forcave të rendit dhe sulmi ndaj Këshillit të Ministrave. Prova këto të mjaftueshme për t’i thënë “stop” polarizimit politik në mënyrë që drejtësia të bënte punën e saj, dhe ashtu sikurse u tentua të arrestoheshin mbrojtësit e institucioneve, në pranga të ishin së pari ata që cenuan rendin publik dhe atë kushtetues.