E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Tirana është qyteti më i rrezikuar”

15/04/2009  Instituti i Shëndetit Publik detajon raportin përfundimtar të ndotjes për 2008-n

Vëzhgimet e raportuara për 6 qytete tregojnë se ajri është i ndotur me gaze kancerogjene

Shifrat alarmante të publikuara nga institucionet shëndetësore për shtimin e sëmundjeve kancerogjene në vend janë faktuar edhe nga raporti shqetësues mbi ndotjen e ajrit që sapo është detajuar nga Instituti i Shëndetit Publik. Monitorimi i kryer në gjashtë qytetet më të mëdha të vendit tregon se situata është tepër e rëndë, pasi shifrat paraqiten shumë herë më të larta sesa normat e BE-së, përkatësisht nga 2 në 4.5 herë më shumë. Sigurisht, harta e ndotjes kryesohet nga Tirana, e cila është konsideruar prej specialistëve si një problem kryesor për përmbajtjen e grimcave në ajër, por është vërejtur se edhe dyoksidi i azotit, NO 2, ka tashmë vlera të konsiderueshme në shumicën e pikave të kryeqytetit që u përfshinë në studim. Ndonëse ka vite që kërkohet marrja e masave parandaluese nga institucionet përgjegjëse për mbrojtjen e mjedisit (Ministria e Mjedisit), gjithçka mbetet në hije. Këta të fundit herë pas here kujtohen të japin ndonjë deklaratë, ku trumbetohet se elementet e ndotjes janë përmirësuar, por në të vërtetë situata mbetet tepër e rënduar, çka e tregon më së miri studimi i ISHP-së.

Situata

Në raport evidentohet se në pjesën dërrmuese të qyteteve në vendin tonë, e veçanërisht në ato ku ndodhet e përqendruar shumica e popullatës, situata mbetet tepër problematike. Përmbajtja e grimcave të ngurta (LNP e PM 10) në ajrin e qyteteve Shkodër, Durrës Tiranë, Fier, Vlorë dhe Korçë në mënyrë të qëndrueshme tejkalon në masën 2-4.5 herë normat e lejuara të vendeve të BE-së. “Ato janë problem kronik i cilësisë së ajrit urban në pjesën më të madhe të qyteteve të vendit tonë. “Nuk vërehet tendencë rritëse apo zbritëse e përmbajtjes së tyre gjatë pesë vjetve të fundit, pra gjendja në mënyre të qëndrueshme vazhdon të jetë në nivelin e alarmit shëndetësor. Në këtë kontekst, Tirana është qyteti më i rrezikuar”, - thuhet në raport.

Grimcat kanceroze

Përveç pluhurit e grimcave respiratore ajri urban po ndotet shumë edhe nga dy gaze kancerogjene: benzeni e dyoksidi i azotit. Këto të fundit shkarkohen në ajër masivisht nga qarkullimi i automjeteve të shumta. Vëzhgimi tregon se veç grimcave të ngurta edhe gazet e shkarkuara prej trafikut po bëhen problem shëndetësor për popullatat e këtyre qyteteve. Dyoksidi i azotit, NO2, është në rritje të vazhdueshme brenda pesë vjetve të fundit, po kështu edhe benzeni C6H6, pritet të jetë problem i madh në të ardhmen. Studimi vë në dukje se po rritet në mënyrë të qëndrueshme edhe përmbajtja e dyoksidit të azotit në ajrin urban të këtyre qyteteve si rezultat i shtimit të trafikut automobilistik. Bazuar në ecurinë rritëse të tij gjatë pesë vjetve të fundit, edhe dyoksidi i azotit pritet të kapërcejë normën e vendeve evropiane brenda një periudhe jo më të gjatë se 4-5 vjet, nëse nuk merren masat e nevojshme tekniko-organizative për frenimin e rritjes së përmbajtjes së tij në ajrin urban. “Këto gaze, të shkarkuara kryesisht prej trafikut, qysh tani në shkallë kombëtare përbëjnë problem shëndetësor e mjedisor. Sipas standardeve të BE-së, ata tashmë duhen trajtuar me seriozitet të madh nga strukturat përkatëse, ndryshe tejkalimi i normave dhe dëmtimet potenciale të shëndetit të njerëzve do të jenë të pashmangshme. Dyoksidi i squfurit, SO2, ka tendencë rritjeje vetëm në qytetin e Fierit, kryesisht nga aktiviteti i TEC-it. Mbajtja nën kontroll e monitorimi korrekt i shkarkimeve në ajër të këtij TEC-i duhet të jetë objektiv kryesor”, - thuhet në raport. Ndërsa elementet e tjera, si ozoni, O3, dhe plumbi, Pb, rezultojnë brenda normave të lejuara në të gjitha qytetet.

Vazhdon predominimi i përmbajtjes së lartë mbi normat e lejuara të grimcave totale (LNP) e atyre të respirueshme (PM10) në atmosferët urbane të qyteteve, ku vërehet ndonjë ulje ose ngritje statistikisht e besueshme e përmbajtjes së tyre, gjë që flet për vëmendje të ulët ndaj rrezikut të tyre shëndetësor. Ndaj normave të lejuara të vendeve të BE-së ato janë në mënyrë të qëndrueshme mesatarisht 2-4.5 herë më të larta. Këto vlera janë ndër më të lartat absolute në krejt vendet e BE-së, duke na klasifikuar në zonën e rrezikut shëndetësor

Në pikëpamje toksikologjike benzeni futet në grupin e komponimeve me efekte kancerogjene për njerëzit. Përmbajtja e tij në benzinat që tregtohen në vendet e BE-së duhet të jetë më e vogël se 5 për qind (në masë), prandaj kjo normë duhet vendosur sa më parë prej organeve përgjegjëse edhe për benzinat që importohen në Shqipëri. Krahasimi me shifrat që raportojnë vendet e tjera, sipas kërkesave të legjislacionit përkatëse të BE) tregojnë qartë se ekziston një rrezik potencial i tejkalimit të vlerave kufi për dyoksidin e azotit, NO2, dhe benzenin, C6H6, në shumë qytete me popullsi të madhe.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›