E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykatë- mjekësi ligjore, sherr për ekspertimet

Gjyqtari Gerd Hoxha dje gjatë një seance kërkoi ndjekje penale për mjekët- ligjorë që nuk kishin sjellë aktet e ekspertimit


Përplasja pas refuzimit të dorëzimit të aktit të ekspertimit për një denoncuese që dyshohet se është trafikuar në Itali


TIRANË- Vetëm pak ditë pas "revoltës" së avokatëve kryesisht karshi Gjykatave për mos pagimin e detyrimeve të punës së tyre, tashmë kanë reaguar edhe ekspertët e Mjekësisë Ligjore të cilët kanë "bllokuar" ekspertizat në shenjë "proteste" për mospagesat e tarifave të ndryshme të punës së tyre.


Bëhet fjalë për aktin e ekspertimit psiqik të një femre që ka denoncuar se është shfrytëzuar për prostitucion në Itali nga Ardian Uka, i akuzuar në Gjykatën e Tiranës, për këtë vepër penale.


Pikërisht gjatë kësaj seance lindi edhe debati i djeshëm që shkaktoi jo pak polemika. Drejtuesi i Insitutit të Mjekësisë Ligjore Dr.Besim Ymaj që për të tretën herë refuzoi t'i dorëzojë treshes gjykuese të kryesuar nga gjyqtari Gerd Hoxha, aktin e ekspertimit, të kryer nga dy specialistë.


Kjo për shkak se nuk është kryer pagesa e tarifës së caktuar sipas urdhrit të firmosur nga Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Financës. Sipas dy ekspertëve të pranishëm në sallën e gjyqit, ekspertiza ka mbaruar por drejtuesi i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Besim Ymaj, nuk e ka firmosur për shkak se Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet nuk ka shlyer detyrimet financiare për këtë ekspertim.


Ky veprim i kreut të institucionit të Mjekësisë Ligjore ka irrituar kryesuesin e treshes gjykuese, gjyqtarin Hoxha, i cili ka "kërcënuar" se pas kryerjes së një sërë verifikimesh do të kërkojë procedimin penal në ngarkim të personave përgjegjës për këtë zvarritje.


"Janë disa vepra penale, të cilat gjykata pas verifikimit që do të kryejë në sekretarinë gjyqësore do të procedojë sipas ligjit për të vënë para përgjegjësisë të gjithë ata persona që pengojnë në dhënien e drejtësisë si dhe dëmtojnë imazhin e drejtësisë në Republikën e Shqipërisë, - tha gjyqtari Hoxha në seancën e djeshme gjyqësore.


Ai shtoi se ky bllokim shkel të drejtat e të pandehurit që po gjykohet në këtë proces gjyqësor. Edhe avokati mbrojtës i të pandehurit Adrian Uka, mbi të cilin rëndon akuza e "Trafikimit të femrave për prostitucion" reagoi duke kërkuar nga gjykata që të ndërmarrë masa për mos shtyrjen e procesit gjyqësor.


Ndërsa, vetë prokurori i çështjes në fjalën e tij, i kërkoi togave të zeza të kryejnë verifikimin e nevojshëm në lidhje me detyrimet e kryera dhe nëse ajo rezulton se është kryer të njoftohet Ministri i Drejtësisë për veprimin e titullarit të Mjekësisë Ligjore. Gjykata e Tiranës kishte urdhëruar Insitutin e Mjekësisë Ligjore të kryente një ekspertim- ligjor psiqik në interes të seancës së djeshme nga ku edhe lindi konflikti.


Ymaj: Gjykata duhet të shlyejë pagesat për ekspertimet


I kontaktuar nga "Shekulli" vetë drejtori Ymaj ka pranuar se është bllokuar ky akt-ekspertim, për shkak se Gjykata nuk ka paguar detyrimet financiare karshi këtij ekspertimi mjeko-ligjor siç ndodh në të gjitha rastet.


"Çdo vendim i Gjykatës për kryerjen e akt-ekspertimit, përveç se na njoftohet për emrat e ekspertëve të caktuar që më pas bëjnë betimin, atij vendimi i bashkëngjitet edhe një tarifë financiare që paguhet nga Gjykata mbi bazën e urdhrit të miratuar nga Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Financës.

Ne kemi marrë vendimin e caktimit të ekspertëve dhe kryerjen e ekspertimit por nuk ka ardhur konfirmimi i pagesës së kryer.


Deri në momentin që neve si institucion nuk na vjen konfirmimi i pagesës, ne nuk mund të lëshojmë ekspertimin, për shkak se Gjykata e Shkallës së Parë nuk është treguar korrekte në detyrime financiare karshi institucionit tonë.


Sa për referim, Gjykata e Shkallës së Parë gjatë vitit 2009 nuk ka kryer pagesat e rreth 80 % të detyrimeve që ka pas karshi institucionit të Mjekësisë Ligjore për akt-ekspertimet e ndryshme"-tha drejtori Ymaj për "Shekullin", duke shtuar se institucioni i Mjekësisë Ligjore kërkon korrektesë në pagesat e detyrimeve nga gjyqtarë të ndryshëm të Gjykatave në vend.


I pandehuri
Akuzohet për trafik femrash


Adrian Uka i pandehuri i dosjes, për të cilën u shkaktua debati i djeshëm, akuzohet nga prokuroria për kryerjen e veprës penale të "trafikimit të femrave me qëllim prostitucioni", vepër kjo që sipas akuzës është kryer nga i pandehuri karshi një vajze të mitur të cilën e ka dërguar në Itali dhe më pas e ka "detyruar" të punojë si prostitutë rrugëve të Italisë.


I pandehuri Uka është dënuar fillimisht nga Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë me vendimin nr. 1285 të datës 27 dhjetor 2005. Vendim ky që ka marrë formën e prerë më 26 janar 2007 me vendimin që mban nr.71 të Gjykatës së Apelit duke u dënuar përfundimisht me 15 vjet burgim dhe 400 mijë lekë gjobë.


Përveç këtij dënimi, Uka është dënuar edhe për "falsifikim të dokumentit" dhe "falsifikim të akteve të gjendjes civile" me 8 muaj burgim e 200 mijë lekë gjobë, pasi në maj të viti 2008 kur është arrestuar i është prezantuar punonjësve të policisë si specialist pranë "Qendrës së Studimeve të Luftës Kundër Terrorizmit dhe Krimit të Organizuar" me emër të shtetasit Astrit Xaka dhe fotografinë e tij.


Por, me vendim të Gjykatës së Lartë, dosja ndaj tij është kthyer për rigjykim pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, me treshen gjykuese të kryesuar nga gjyqtari Gerd Hoxha dhe anëtarët Pterit Çomo dhe Bujar Krasniqi.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›