Gruaja e biznesmenit: Aldo Bare më vrau burrin

"Dëshmitarja e mbrojtur", Mimoza Demiri, bashkëshortja e biznesmenit Shqiptaro- Maqedonas tregoi atentatin e ndaj tyre në gusht '97
Avokati i Bares, akuzoi gjykatën se po vepron me dy standarde, ndryshe nga disa raste të tjera me situata të njëjta me klientin e tij
TIRANE- Seanca gjyqësore në ngarkim të të pandehurit Aldo Bare, i njohur edhe me emrin Alfred Shkurti, vijoi dje me marrjen në pyetje të dëshmitares së mbrojtur nga drejtësia, Mimoza Demiri, bashkëshortja e Xhevdet Demirit, i vrarë në vitin 1998, nga i akuzuari Aldo Bare dhe të akuzuarit si pjesëtarë të bandës së tij.
Demiri Dëshmoi pasi drejtuesja e senacës urdhëroi boshatisjen e saj nga publiku duke qenë se kjo dëshmitare është bashkëpunëtore e drejtësisë. Më parë Avokati i Bares, lexoi një memo ku kundërshtonte dëshminë e Selmanit. Pas memos së Meçit, gjyqtarja Hajdari kërkoi nga prokurori Trenova, vazhdimin e seancës me dëshmitaren e radhës.
ipas tij, seanca duhej të vazhdonte me dyer të mbyllura, duke qenë se do të pyetej dëshmitarja Mimoza Demiri, në cilësinë e "Bashkëpunëtores së Drejtësisë". I pandehuri Aldo Bare kundërshtoi këtë kërkesë të prokurorit Trenova, me argumentin se asaj nuk i është rrezikuar jeta pasi ajo në të gjitha rastet rrugëve ka qenë.
"Pse seanca duhet të bëhet me dyer të mbyllura? Kjo grua do dëshmojë për vrasjen e burrit të saj apo për të komshiut? Po kështu më parë kundërshtimin e tij shprehu edhe avokati i Bares, Meçi. Në fund gjykata pas konsultimit vendosi boshatisjen e sallës nga publiku.
Dëshmitarja
Menjëherë pas zbrazjes së sallës nga publiku, dëshmitarja Mimoza Demiri, bashkëshortja e Xhevdet Demirit, biznemenit shqiptaro- maqedonas që dyshohet se është vrarë në vitin 1997, nga banda e Lushnjes, nisi rrëfimin e saj.
Ajo tregoi se me 3 gusht të vitit 1997, ktheheshin nga Durrësi me furgonin e të shoqit, ndërsa në të udhëtonte ajo, Gramoz Selmani, bashkëshorti i saj e familjarë të tjerë. Në hyrje të Lushnjes, sipas saj përpara tyre iu ka dalë një autoveturë e bardhe me të cilën identifikoheshin pjesëtarë të bandës. Katër persona, sipas gruas, kanë vënë maskat në kokë, kanë qëlluar në drejtim të furgonit, ku udhëtonte gruaja. Ajo ka identifikuar se në grupin e personave, ishin Ilir Stërgu Afrim Hoxha, Enver Dondollaku dhe Aldo Bare.
Pjesa tjetër e personave të përmendur janë gjykuar ose gjykohen në procese të tjera nga Aldo Bare. Pasi kanë vënë maskat në kokë ata kanë qëlluar në drejtim të shtetasit Xhevat Demiri, i cili kishte zbritur nga furgoni, duke i shkaktuar atij vdekjen. I pandehuri Arben Boriçi i cili rrinte në një autoveturë afër vendit të ngjarjes është afruar me shpejtësi dhe në autoveturë kanë hipur të gjithë personat e sipërcituar. Ndërkaq dëshmitarja sqaroi se ngjarja ka ndodhur për shkak të bizneseve të bashkëshortit të saj.
Memja e Avokatit
Në fillim të seancës, avokati i të pandehurit Aldo Bare, Vladimir Meçi, lexoi një memo, drejtuar trupit gjykues të çështjes, drejtuar nga gjyqtarja Fatmira Hajdari. Në promemorien drejtuar gjykatës, avokati i Bares kontestoi edhe një herë administrimin e dëshmisë së Gramoz Selmanit, i cili sipas Meçit, duhej të jepte llogari për gjashtë vrasje të tjera të cilat i janë atribuuar atij.
Madje për këtë sipas Meçit, për Selamin Gjykata e Lushnjes dhe më pas Apeli, kishin nxjerrë një vendim arresti në ngarkim të Selmanit, për akuzat e vrasjes në vitin 1999. Avokati cilësoi se Selmani duhej të kishte dhënë llogari për akuzat e prokurorisë, ndërsa nuk nguroi të hidhte dyshime se mes tij dhe organeve të Policisë kishte një marrëveshje paraprake të fshehtë që sipas tij dita ditës po provohet.
Më tej, Meçi tha se në rastin e Bares, Gjykata po procedon me dy standarde, sa i përket afateve të dosjes, duke iu referuar rastit të ish- Drejtorit të Rrugëve, Andi Toma, një nga të akuzuarit e hetimit të rrugës Durrës- Kukës. Më tej ai përmendi rastin e Enver Dondollakut, të cilit iu pranua gjykimi i shkurtuar ndërsa Bares jo.
DËSHMITARI KICJA
Kicja: Prokuroria e Policia na hodhi në rrugë pas dëshmisë ndaj Bares
Arben Kicja, një nga dëshmitarët me statusin e "bashkëpunëtorit të drejtësisë" për të dytën herë lëshon akuza ndaj Prokurorisë dhe Policisë për mos kujdesin ndaj tij dhe familjes. Gjatë paradites së djeshme, kur pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda kishte nisur seanca gjyqësore në ngarkim të të akuzuarit si ish- kreu i bandës së Lushnjes, Aldo Bare, dëshmitari Kicja me bashkëshorten, fëmijët, vëllain e nënën akuzuan Prokurorinë dhe Policinë se i kishte hedhur në rrugë. "Pas dëshmisë që dhashë në procesin ndaj Aldo Bares Policia dhe Prokuroria më hodhën në rrugë duke mos më ofruar siguri.
Ne ndihemi të kërcënuar pasi askush nuk po na mbron. Sipas marrëveshjes, siguria jonë duhet të vazhdojë edhe pas dëshmisë time në Gjykatë, por, siç duket atë po e shkel Zyra për Mbrojtjen e Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda duke na lënë pa siguri, -tha Kicja para medias dje.
Ndërkohë, edhe nëna e tij tashmë e thyer në moshë, i ka bërë apel strukturave të Programit për Mbrojtjen e Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë mos t'i hedhin në rrugë por të kujdesën per ata.
Ndërkohë, dy vite më pare, po ky dëshmitar, pas një sherri me drejtuesin e atëhershëm të Zyrës për Mbrojtjen e Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë mori fëmijët dhe bashkëshorten duke u larguar nga vend strehimi pasi sipas tij nuk kishte kujdesin e nevojshëm. Vetë Kicja ka dëshmuar para Gjykatës në procesin penal ndaj të akuzuarve si bashkëpunëtore të Aldo Bares dhe vetë këtij të fundit.
Ai ka rrëfyer për tentativën e vrasjes ndaj tij më 16 nëntor të vitit 2003 nga i pandehuri Rexhep Gina ku kishte mbetur i plagosur dhe djegien e shtëpisë së Shkëlqim Haxhiut në gusht të vitit 1998. Sipas tij, djegia e banesës së Shkëlqim Haxhisë është kryer nga Ilir Stërgu, Arben Boriçi, Erion Cici, Jorgo Muzaka, Rexhep Gina, të gjithë nën urdhrat e Aldo Bares e Enver Dondollakut me qëllim frikësim për marrjen e lokalit të privatizuar në qendër të Lushnjës.