Kukës, tritol kryetarit të Këshillit të Qarkut

SHPËRTHIMI. Ende nuk dihen motivet e ngjarjes ndërsa janë shoqëruar në polici 7-8 persona, por kërkohen edhe të tjerë
Shefqet Bruka deklaroi se nuk kishte probleme me askënd por nga policia konfirmohet se atentati mund të jetë formë presioni
KUKËS - Një shpërthim i fuqishëm tritoli ka tronditur banorët e Kukësit në orët e natës duke u gdhirë dita e mërkurë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:45, kur një sasi eksplozivi ka shpërthyer në afërsi të derës së jashtme të kryetarit të Këshillit të Qarkut të Kukësit, Shefqet Bruka, në lagjen nr.2 të këtij qyteti.
Për pasojë ka pësuar dëmtime të vogla dera e blinduar e kryetarit, ndërkohë që dëmet më të mëdha i ka pësuar dera e fqinjit, që nuk ka qenë e blinduar. Për fat nuk janë shënuar viktima në njerëz, por pasojat e këtij shpërthimi kanë qenë trauma që kanë pësuar banorët e këtij pallati, veçanërisht fëmijët, përfshi edhe ata të kryetarit të Këshillit të Qarkut. Policia e komisariatit të Kukësit ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, por pa mundur të kapë apo identifikojë autorët.
Mësohet se si provë materiale është bllokuar një fitil zjarrpërcjellës rreth 2 metra i gjatë, si e vetmja gjurmë e këtij shpërthimi. "Nuk kam asnjë prononcim. Organet e specializuara të hetojnë për ngjarjen" ka deklaruar në orët e para të mëngjesit kryetari i Këshillit të Qarkut të Kukësit, Shefqet Bruka.
Policia ka shoqëruar dhe ka marrë në pyetje 7-8 vetë përfshi edhe kryetarin e Këshillit të Qarkut, ndërkohë që po kërkon edhe disa persona të tjerë të dyshuar të cilët ende nuk janë gjetur. Rreth orës 08:30 të mëngjesit të së merkurës, ka mbërritur në Kukës një grup ekspertësh antieksploziv i RENEA-s, që i është bashkuar grupit hetimor.
Xhafer Elezi, zv.drejtor i policisë së qarkut të Kukësit bën të ditur se kryetari i këshillit të Qarkut ka pohuar para grupit hetimor të ngritur për këtë qëllim se nuk kishte konflikte me ndonjë person apo grup personash as për arsye personale apo për shkak të detyrës. "Sasia e tritolit që rezulton të ketë qenë rreth 50 gramë dhe ishte vendosur rreth 20 centimetër larg derës së kryetarit të Këshillit të Qarkut, ngjitur me murin.
Sasia e vogël e lëndës plasëse dhe largësia nga dera na bën të mendojmë se vendosja e tritolit ka natyrë presioni për shkak të detyrës për kryetarin e Këshillit të Qarkut, megjithatë ne po hetojmë edhe në pista të tjera, por deri tani nuk kemi asnjë rezultat konkret për asnjërën prej tyre", shprehet zv.drejtori i policisë së qarkut të Kukësit.
Megjithatë, burime të policisë që nuk duan të identifikohen bëjnë të ditur se policia po heton edhe në pistën e luftës për pushtet brenda llojit, por edhe në atë të destabilizimit të rendit dhe sigurisë në Kukës për të goditur drejtuesit e policisë në këtë rajon.
Kryetari i Këshillit të Qarkut të Kukësit, Shefqet Bruka, ka rreth 19 vjet që kryen funksione të larta partiake dhe në pushtetin lokal të Kukësit. Në vitin 1993 ai ka kryer funksionin e kryetarit të degës lokale të PD-së në Kukës dhe më pas ka kryer detyrën e kryetarit të Këshillit të Rrethit të Kukësit. Për disa vite ka punuar si koordinator në shoqatën AMAE (Aksioni i Veprimit kundër Minave në Shqipëri).
Në zgjedhjet e fundit vendore është zgjedhur kryetar i Këshillit të Qarkut të Kukësit. Në kongresin e fundit të Partisë Demokratike ishte i vetmi emër nga Kukësi që fitoi në Këshillin Kombëtar të PD-së.