Gjykatë; Lirohen 13 kambistët e arrestuar, caktohet masa “detyrim paraqitjeje”
Gjykata e Tiranës ndryshoi masat për 13 kambistët e arrestuar pak ditë më parë nga Policia e Tiranës, të cilët akuzohen se ushtronin aktivitet të paligjshëm të këmbimit të valutës në Tiranë. Gjatë caktimit të masës, gjyqtarja Shefkije Demiraj pati parasysh faktin që këta persona nuk përbënin rrezikshmëri të lartë, si dhe gjendjen e tyre familjare. Dhjetë prej tyre u liruan me masë “detyrim paraqitjeje”, ndërsa për tre prej tyre, Ylli Omeri, Dashamir Torba dhe Kadri Haxhillari u caktua masa “arrest shtëpie”. Kambistët u vunë në pranga pas një hetimi 3-mujor, me aplikimin e metodave speciale të hetimit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, të cilët finalizuan operacionin “Black market”, ku u arritën të sigurohen provat e mjaftueshme për të arrestuarit që kryenin këtë aktivitet pa licencën e Bankës së Shqipërisë. Shtetasit e arrestuar përgjatë këtij operacioni janë Rebani Korra, 48 vjeç, Neim Dule, 55 vjeç, Ylli Omeri, Tomorr Bejkollari, Jovan Gjika, nga 58 vjeç, Shkëlzen Geci, 38 vjeç, Vlamdir Fino, 48 vjeç, Dashamir Torba, 46 vjeç, Fatmir Sinanaj, 43 vjeç, Kadri Haxhillari, 52 vjeç, Gjergji Roshi, 53 vjeç, Rrahim Mahilaj, 46 vjeç, Shkëlzen Spahiu, 48 vjeç, Basri Cenaj, 51 vjeç, Xhavit Mema, 63 vjeç dhe Destan Mulgeci, 71 vjeç. Për këta persona ishin vendosur nga Gjykata e Tiranës në mungesë masat “arrest me burg” dhe “arrest në shtëpie”. Sipas burimeve nga policia, këta shtetas dyshohen se kanë ushtruar aktivitet të paligjshëm, duke konsumuar veprën penale të “ushtrimit të palicencuar të veprimtarisë financiare”. Agjentët e Seksionit Kundër Pastrimit të Parave kishin disa kohë që kishin nisur nga puna për hetimin e aktivitetit të tyre.