E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjendet i vdekur roja e nënstacionit të Rrashbullit

27/05/2009  Policia asnjë deklaratë për vdekjen

DURRES- Është gjetur i vdekur në mjediset e punës shtetasi Ramazan D. nga Shijaku. 52-vjeçari, roje i sigurisë së objekteve, ka qenë me shërbim në nënstacionin elektrik të Rrashbullit. Viktima ka marrë shërbimin e punës rreth orës 14.50 të një dite më parë, ndërsa është gjetur pa jetë në mëngjesin e së martës. Punonjësi i firmës së sigurisë së objekteve “Namazani 2000” me seli në Tiranë është gjetur pa ndjenja nga shërbimi i turnit të parë që ka shkuar të ndërruar 52-vjeçarin nga Shijaku. Grupi i ekspertëve të policisë si dhe mjek të kriminalistikës kanë shkuar në vendin e ngjarjes së bashku me përfaqësues të OSSH-së së Durrësit. Sipas disa pohimeve, por jo policore, mësohet se ai është gjetur pa jetë i shtrirë në një nga divanet e dhomës së shërbimit. Grupi hetimor ka vërejtur se në trup nuk kishte shenja dhune. Të afërm të të ndjerit kanë deponuar për policinë lidhur me gjendjen e mëparshme të 52-vjeçarit nga Shijaku kallëzime që mund të afrojnë grupin e ekspertizës drejt daljes në një konkluzion të plotë e të qartë. Sipas disa pohimeve, shtetasi Ramazan Domi ka shfaqur probleme të tensionit dhe një nga pistat e hetimit thuhet se është edhe goditja nga infarkti.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›