E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pazaret e dokumentuara të trafikut të heroinës

27/05/2009  Prokuroria dërgon dosjen në gjykatë

TIRANE- Prokuroria e Krimeve të Rënda ka përfunduar procesin hetimor ndaj dy bashkëpunëtorëve kryesorë të Emiljano Shullazit dhe Lufti Shabanit që njihen si organizatorët e grupit kriminal “Identikit”. Mësohet se dy të pandehurit e tjerë që kanë marrë pjesë në trafikimin e rreth 15 kg heroinë nga Turqia-Shqipëri-Itali janë shtetasit nga Fieri, Bledar Qemalaj dhe Arben Duraj, të cilët në bashkëpunim edhe me dy persona të tjerë (Korrierë) kanë mundësuar në 25 gusht të 2004 trafikimin e një sasie lënde narkotike në Milano të Italisë. Burimet thanë se regjistrimi i procedimit penal nr. 104/3 është bërë pas dorëzimit nga autoritetet gjyqësore italiane të dy fashikujve që lidhen me procedimin penal nr. 22908/05 të Prokurorisë së Milanos. Këta fashikuj shërbyen si burim njoftimi të veprës penale të kryer në hapësirën Turqi-Shqipëri-Itali nga të dënuarit Landi Baçi, Erges Ymeraj, Emiljano Shullazi, Lufti Shabani e personave të tjerë të këtij grupi. Mirëpo gjatë verifikimeve të letërporosisë është konstatuar se nevojiteshin veprime të tjera hetimore për të dyshuarit e paidentifikuar mirë me emrat Nazim Mema i thirrur Bledi për episodin e datës 25 gusht 2004, ku janë trafikuar 15 kg heroinë dhe Beni për episodin e datës 29 nëntor-2 dhjetor 2004, ku janë trafikuar drejt Italisë 5 kg heroinë. I dyshuari i identifikuar në Itali me emrin Nazim Mema nga hetimet e Krimeve të Rënda ka rezultuar se është shtetasi 30-vjeçar Bledar Qemalaj nga Fieri. Ky person ka përdorur në Itali një pasaportë false me emrin Nazim Mema, dhe me fotografinë e tij (Bledar Qemalaj). Kurse i dyshuari me emrin Beni është identifikuar saktësisht si i pandehuri Arben Duraj. Të pandehurit Bledar Qemalaj dhe Arben Duraj, janë akuzuar për veprën penale të “Trafikimit të narkotikëve” kryer në bashkëpunim, pasi në datat 25-26 gusht 2004 në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe shtetasit shqiptarë të arrestuar në Itali Gezim Baal dhe Elvis Spahaj kanë trafikuar 15 kg lëndë narkotike të tipit heroinë, sasi kjo që është eksportuar nga Shqipëria në drejtim të Italisë. Lënda narkotike është nisur nga i pandehuri Arben Duraj, i cili e kishte fshehur me kujdes në autoveturën e korrierit Gezim Baal. I pandehuri Bledar Qemalaj ka ngarkuar me pritjen e korrierit Gezim Baal, shtetasin Elvis Spahaj. Në datë 26 gusht 2004, në rrugën Trieste nr. 99 në Montichiari në momentin e takimit të tyre, policia italiane ka kryer një kontroll në makinën e tyre tip “Renault”. Nga ky proces është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 30 pako të dyshuara si lëndë narkotike, me peshë totale 15 kg. Menjëherë pas sekuestrimit të kësaj sasie janë arrestuar në flagrancë korrieri Gezim Baal dhe Elvis Spahaj. Nga transkriptimi i bisedave të tyre, është mundësuar identifikimi i dy të pandehurve Bledar Qemalaj dhe Arben Duraj, ky i fundit i arrestuar në Shqipëri, ndërsa Qemalaj aktualisht është shpallur në kërkim. Ndërkaq për veç transkriptimeve identifikimi i tyre është kryer edhe me anën ekspertimit të fotografive si dhe me ekspertimin e zërit të tyre.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›