E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korrieri shqiptar kapet me 250 kg drogë

27/05/2009  Bllokohen 300 mijë euro, dyshohet se janë fryt i trafikut të hashashit

Gjatë një operacioni është ndaluar 41-vjeçari shqiptar me inicialet M. E.

TIRANE- Pas një periudhe të gjatë hetimesh të koordinuara nga Prokuroria e Varesë, Guardia di Finanza zbuloi një rrjet trafikimi droge me të cilin bashkëpunonin shtetas italianë dhe shqiptarë. Pikërisht në bazë të këtij hetimi intensiv ditën e djeshme nga policia italianë është arrestuar në Como një shtetas shqiptar, i cili kishte për detyrë transportimin e lëndëve narkotike. Hetuesit italianë po punojnë për identifikim dhe arrestimin e persona të tjerë të këtij grupi kriminal, si dhe për zbulimin linjës së trafikimit të drogës. Agjencitë e lajmeve italiane raportojnë se gjatë një operacioni është ndaluar 41-vjeçari shqiptar me inicialet M. E., pasi në makinën e tij forcat e policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 6 çanta të mëdha me 60 kg marijuanë. Mësohet se menjëherë pas këtij konstatimi, agjentët e policisë italiane kanë kryer edhe një kontroll të imtësishëm në banesën ku jetonte 41-vjeçari shqiptar, e cila ndodhej pranë zonës Fiera të Milanos. Nga verifikimi i imtësishëm i shtëpisë, policia ka zbuluar një “magazinë” të vërtetë, pasi në të janë gjetur plot 140 kg lëndë narkotik e llojit marjuanë si dhe 50 kg drogë e llojit hashash. Përveç sasisë së konsiderueshme të drogës, autoritet e policisë kanë sekuestruar disa peshore si dhe pajisje të tjerë që shërbenin për ambalazhimin dhe paketimin e lëndës narkotike. Gjatë kontrollit u sekuestruan edhe 24 telefona celulare e 45 skeda të kompanive të ndryshme italiane dhe të huaja si dhe 300 mije euro, që ka shumë mundësi të jenë fryt i trafikut të drogës. Shtetasi shqiptar që kishte pasur të bënte dhe më parë me autoritetet e drejtësinë italiane, është arrestuar dhe aktualisht ndodhet i mbyllur në burgun “San Vittore” të Milanos. Pritet që në ditët në vazhdim të kryhet arrestimi i bashkëpunëtorëve të tjerë të këtij rrjeti kriminal, i cili mendohet se kryente aktivitetin e paligjshëm në disa qytete të Italisë veriore.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›