Golem ; Gjendet në breg trupi i pajetë i 16-vjeçarit të zhdukur
Gjendet pas tri ditë kërkimesh trupi i pajetë i 16-vjeçarit, i cili u mbyt të shtunën paradite në plazhin e Golemit. Trupi i Leon Stafës është nxjerrë mëngjesin e djeshëm pranë Shkëmbit të Kavajës, larg nga vendi ku u mbyt. Lajmi u konfirmuar menjëherë nga të dhëna të policisë së qytetit bregdetar, sipas të cilave, trupi i pajetë i të riut është gjendur disa kilometra larg vendit ku mendohej si pikënisja e zhdukjes së tij. Ndërkohë, policia ka sqaruar se së bashku me një shokun e tij, rreth orës 12:00 të së shtunës kanë qenë duke shëtitur në det me një motor uji. Shoku i tij është larguar, më pas 16-vjeçari Leon Stafa ka vijuar me shëtitjen në det. Por me kalimin e kohës i riu nuk ka dalë në breg, por vetëm motori i ujit, i cili është gjendur nga pronarët vetëm 20 metra larg bregut. Sipas pronarit të lokalit, ai ka konstatuar humbjen e të riut vetëm dy orë pasi ishte futur në det, ndërkohë që ka tentuar ta kërkojë, por nuk është lejuar nga policia, e cila ka ardhur vetëm pas shtatë orësh në vendngjarje. Kërkimet për 16-vjeçarin janë përqendruar vetëm 1.5 milje larg nga bregut, ku dhe ka ndodhur ngjarja, në një hapësirë prej pesë kilometrash.