E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Gjykatë” e posaçme për shkeljet e APP-së me tenderët publikë"

Autori i Lajmit: red.
Komisioni parlamentar i ekonomisë ka miratuar ndryshimin në ligjin e prokurimeve i cili parashikon krijimin e strukture me 5 anëtarë, të cilët do të merren me gjykimin e ankimimeve. Aktualisht, çështje të tilla i shqyrton agjencia, e cila zhvillon njëkohësisht edhe tenderët. Anëtari i komisionit parlamentar të financave Selami Xhepa shprehet se krijimi i një strukture më të specializuar, i cila do t i japë përgjigje në kohë rekord ankesave do të ketë formatin e një gjykate. Mbi të gjitha, thotë Xhepa kjo strukturë do të shmangë konfliktin e interesit që funksionon me Agjencinë e Prokurimeve, e cila edhe kryen tenderët edhe shqyrton ankesat. Por biznesi e komenton këtë ndryshim ligjorë si sipërfaqësor. Sipas tyre ligji ka nevojë për ndërhyrje edhe më të thella. Por ajo që shqetëson biznesin është fakti se në përbërjen e këtij komisioni nuk do të ketë përfaqësues të sipërmarrjes private, çka e bënë funksionimin e tij jo transparent. “Me sa di unë ky komision përbëhet nga nëpunës të shtetit që i emëron qeveria dhe ne e dimë të gjithë si funksionojnë strukturat shtetërore. Ajo që mund të them është se pala e interesuar nuk është njoftuar për këtë ndryshim”- thotë sekretari i shoqatës së ndërtuesve Arben Dervishaj. Sipas tij, ligji ka nevojë të ndryshojë edhe më tej, të paktën për sa i përket vlerës minimale e cila mbetet gjithnjë fituese në tenderët publikë. Kjo pikë e ligjit duhet të ndryshojë se jo çdo vlerë minimale garanton cilësi në punime. Por mënyra e kryerjes së tenderëve publike monitorohet edhe nga Avokati i Prokurimeve. Ky institucion në raportet e tij vjetore ka ngritur shqetësimin se ligji prokurimeve nuk garanton transparencë. Por Avokati i Prokurimeve është një organ, i cili nuk ka fuqi ekzekutimi, por vetëm jep rekomandime.
Drejtoresha e APP-së
Drejtore e Agjencisë së Prokurimit Publik, Klodiana Cankja, tha se "duke qenë se legjislacioni aktual nuk rregullon prokurimet publike në sektorët e utiliteteve, ndërmarrja e kësaj nisme përbën një hap përpara drejt përafrimit të plotë të legjislacionit shqiptar me atë të BE-së". Gjithashtu, sipas Cankjas, një ndryshim tjetër i propozuar në këtë projektligj është edhe ngritja e një organi rishikimi kolegjial, i cili do të jetë në varësi të Kryeministrit. "Ky organ që ka në kompetencë rishikimin e ankesave të prokurimeve publike, i merr vendimet në mënyrë kolegjiale, vendime që janë administrativisht përfundimtare", tha Cankja, ndërsa shtoi se "kundër vendimeve të komisionit bëhet ankim pranë gjykatës përkatëse". Deri tani ky proces është kryer nga Drejtoria e Ankesave dhe Çështjeve Ligjore për Prokurimet, në Agjencinë e Prokurimit Publik. Shqipëria është i vetmi vend në botë që ka 100% prokurime elektronike. Vendi i dytë në botë për prokurime elektronike të zhvilluar është Kili me 85%, standardi evropian është me 40 %.

Ky lajm është publikuar: 06/10/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›