E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërtimet pa leje, miratohen bonot e privatizimit

Autori i Lajmit: Suela Topi
Ndryshimet

Komisioni i Ligjeve miraton draftin e propozuar nga Këshilli i Ministrave për legalizimin e ndërtimeve pa leje duke përdorur edhe bonot e privatizimit. Me një draft të veçantë Këshilli i Ministrave u ka krijuar mundësi të gjithë qytetarëve që kanë ndërtime pa leje të kryejnë legalizimin e tyre duke paguar 50 për qind të shumës me bono privatizimi dhe vetëm 50 për qind me lekë. Ky draft i miratuar dje nga Komisioni i Ligjeve, ku ishte e pranishme vetëm mazhoranca qeverisëse, ka dhe fuqi prapavepruese, sepse u krijon mundësi dhe atyre personave që kanë shlyer detyrimet për legalizimet që të kërkojnë kthimin e gjysmës së lekëve kundrejt bonove të privatizimit.
Diskutimet
Të gjitha bonot e privatizimit të shpërndara pas vitit 1995, por dhe ato të përfituara nga të përndjekurit, do të përdoren për të bërë legalizimin e ndërtimeve pas leje. Projektligji ka marrë miratimin e 11 anëtarëve të Komisionit të Ligjeve, të cilët ishin në mbledhjen e djeshme. Eksperti i Ministrisë së Financave, Ergys Qirici, ka shpjeguar gjatë diskutimeve në Komision se të dyja këto lloj bonosh privatizimi, të quajtura ndryshe letra me vlerë, kanë të njëjtën vlerë. “E gjithë terminologjia e përdorur është për të riaktivizuar këto letra me vlerë që janë dhënë që në vitin 1995. Ligji përfshin të dyja llojet e bonove të privatizimit, pasi në nenin 17.1 është parashikuar në pikën 2 të tij, që bonot e privatizimit të përfituara nga ish-të përndjekurit politikë kanë të njëjtin trajtim si bonot e tjera të privatizimit”, - tha ai. I pyetur më tej nga deputeti demokrat, Eduard Halimi, Qirici sqaroi se ashtu siç është parashikuar në ligj, në fondin e ish- pronarëve do të kalojnë të ardhurat në lekë dhe jo bonot e privatizimit. Më tej, me propozim të ekspertit të Financave, është bërë një ndryshim në nenin 7 duke saktësuar që të ardhurat e arkëtuara nga procesi i parcelave ndërtimore do të transferohen në buxhetin e shtetit dhe jo të ardhurat e përfituara nga ndërtimet pa leje. “Kjo sepse në këtë nen bëhet fjalë vetëm për kalimin e pronësisë për parcelën ndërtimore ndërkohë që procesi i legalizimit përfshin dhe disa kategori të ardhurash që janë tarifa e shërbimit apo taksa e ndikimit në infrastrukturë që janë të ardhura që kanë destinacione të caktuara”, - shpjegoi koordinatorja e Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave Informale, Jeta Velaj. Anëtarët e Komisionit të Ligjeve kanë rënë dakord për këtë riformulim të ligjit. Pas diskutimeve dhe në nenin 8 të këtij ligji, është bërë dhe miratimi i tij. Neni 8 parashikon që ky projektligj ka efekte prapavepruese, sepse u jep të drejtën dhe personave që kanë paguar me lekë në dorë për të bërë legalizimin e ndërtesave të tyre që të mund të përfitojnë 50 për qind të këtyre lekëve kundrejt dorëzimit të bonove të privatizimit.
Kompensimi i pronarëve
Të ardhurat e arkëtuara nga procesi i legalizimit të ndërtimeve pa leje transferohen në Buxhetin e Shtetit për llogari të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, si fond kompensimi financiar. Ndërkohë nga ana e saj AKKP-ja ua kalon paratë pronarëve të tokave ku janë ngritur ndërtimet pa leje. Vetëm pas marrjes së kompensimit financiar nga ana e pronarëve ata që do të quhen si pronarë të rinj do të kenë mundësi të kryejnë veprime të tjera me tokën.

50 për qind
Mbi bazën e skemës së re, 50% e shumës që duhet të paguhet në procesin e legalizimit të shtëpive bëhet me anë të bonove të privatizimit, kjo vetëm për shtëpitë, jo për hipotekën dhe taksat

350 mijë
Kaq është numri i objekteve informale në shkallë republike. Pjesa më e madhe e tyre është përqendruar në zonat e Shqipërisë së mesme, Tiranë, Durrës dhe Elbasan

70 për qind
kaq është numri i objekteve për të cilat ka përfunduar dokumentacioni ligjor dhe janë kryer procedurat e kualifikimit, për të cilat mbeten për t u shlyer detyrimet financiare
Ky lajm është publikuar: 06/10/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›