E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: “Dialogu PS-PD, jetik për reformat”

Autori i Lajmit: red.
Pa bashkëpunim institucional mes shumicës dhe opozitës nuk ka rrugë drejt Bashkimit Evropian. Ky pohim është bërë dje nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, gjatë një konference të përbashkët për shtyp me homologun çek, Vaclav Klaus. “Marrëdhëniet politike në një vend që frymëzon integrimin janë shumë të rëndësishme. Vendi, sikurse çdo vend tjetër demokratik, ka nevojë për një marrëdhënie institucionale mes mazhorancës dhe opozitës”, - tha dje Topi. Sipas tij, vetëkuptohet që thirrja frekuente është për këtë lloj bashkëpunimi, i cili është jetik për të ardhmen e vendit. “Ka mjaft çështje, edhe në retrospektivën e afërt ku përtej mosmarrëveshjeve janë arritur konsensuse të rëndësishme. Përveçse apelit për bashkëpunim që vjen nga Presidenti, i tërë vullneti për bashkëpunim është i partive politike. Dhe kuptohet në parim që, sa më i rëndësishëm të jetë ky bashkëpunim, aq më i lehtë është procesi i integrimit”, - tha Kreu i Shtetit. Topi tha se ajo që kërkohet nga Evropa e Bashkuar është vazhdimi i reformave dhe në mënyrë të veçantë të reformës në fushën e drejtësisë. “Patjetër që kërkohet bashkëpunim, jo thjesht politik, por edhe formal për të arritur numrin e nevojshëm të konsensusit për të miratuar reformat e mëdha në drejtësi. Unë e vlerësoj shqetësimin tuaj. Unë jam i bindur që nuk do të ketë asnjë lloj pengese nga askush për të pasur kurajon të pengojë integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ky është një proces i sigurt, i cili do të finalizohet me sukses”, - deklaroi ai. Deklarata e Topit vjen në mënyrë të përsëritur. Dhe pak ditë më parë ai ftoi opozitën të hynte në Kuvend, ndërsa pohoi se për asnjë moment kur ka qenë deputet si në mazhorancë, por edhe në opozitë, nuk ka menduar bojkotimin e tij.
Ky lajm është publikuar: 06/10/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›