Rama, Ahmedinexhadi i PS-së

Edvini po ndjek në PS politikën e izolimit ndaj të gjithë faktorit ndërkombëtar, me shpresë se do të mund të legjitimojë uzurpimin e kreut të partisë, siç po bën Ahmedinexhadi me uzurpimin e presidencës iraniane. Kundër mbajtjes së pushtetit me dhunë, në rrugë ka dalë opozita iraniane, por në Tiranë, Edvinit i duhet që të ndjekë politika fondamentaliste si protestat, me shpresë se prej andej do i legjitimohet pushteti partiak e bashkiak, por edhe do t’i jepet një rast i ri për pushtetin qendror
Socialistët zbuluan dje modelin e tyre të protestave, por personazhi të cilit duan t’i ngjasojnë është mullah Ahmedinexhad dhe metodat e tij uzurpatore të marrjes së pushtetit. Gjatë një deklarimi halucinant, Taulant Balla, në emër të Edvinit ka përsëritur se ai dhe shefi i tij i mbeten refrenit politik “kot, kot...bojkot” dhe se këtë vendim s’kishte asnjë izolim ndërkombëtar që do ta rishikonte. Por deklarata thjesht zbulon modelin e vërtetë partiak që po zbatohet tek e majta shqiptare. Edi Rama mbetet Ahmedinexhadi i vërtetë i së majtës, mbetet izolacionisti dhe antiperëndimori më i madh i politikës së ditës. Ai ka ndjekur qëkur erdhi në krye të PS-së, në vitin 2005, një kurbë të fortë të izolimit të partisë së tij nga Internacionalja Socialiste, por edhe një aksion-bllokadë kundër të gjitha reformave që e afrojnë vendin me Bashkimin Evropian dhe me NATO-n. Përpjekja për lënien e vendit pa zgjedhje vendore në fillim të 2007-s mbetet emblematike, por njësoj e tonalitetit të lartë ishte edhe protesta e disa muajve më pas, veç një ditë pasi NATO i bëri Tiranës ftesën për t’iu bashkuar aleancës më të fuqishme të vendeve të lira. Historia e bllokimit të reformave mund të vijojë gjatë, por dështimi elektoral i 28 qershorit e ka detyruar Edvinin që të përqendrohet tek shembulli i tij politik, tek mullah Ahmedinexhadi i Iranit. Edhe ai ka probleme legjitimiteti (atij tashmë i kanë dalë edhe probleme të origjinës e të prejardhjes), por shembulli se si ai uzurpoi për herë të dytë postin e presidencës i shërbeu atij për të shpiku farsën me Maqo Lakrorin dhe për të uzurpuar kreun e Partisë Socialiste. Për ta realizuar këtë synim imediat ai qe i detyruar që modelin e vet ta përsëriste pikë për pikë, prandaj edhe hapur, gjatë tre muajve të fundit, ai nxiti të gjithë kalecët e vet në selinë e PS-së që të udhëhiqnin një kryqëzatë distancimi nga Evropa, përmes thashethemeve, politikës, por edhe përmes shpalosjes së një aleance të fortë antioksidentale. Shembujt e Gramoz Ruçit, Arta Dades, Namik Dokles, Valentina Leskajt e të tjerëve janë pjesë e palmaresit antievropian që Edvini ka hedhur në fushë kohët e fundit, si domosdoshmëri për të jetësuar kurbën antievropiane të së majtës shqiptare. Por këto pesha të plakura nuk mjaftojnë dhe forcat e reja janë gjetur, as më pak e as më shumë, por tek brezi i dytë i nomenklaturës komuniste, tek djemtë, nipat, dhëndurrët e nuset e Byrosë Politike. Shembujt tashmë janë të ditur për publikun, por rasti erdhi sërish dje që të kujtojmë modelin e Ahmedinexhadit që Edvini po vendos mbi të majtën shqiptare, vetëm e vetëm që të shpëtojë avenirin e tij politik... Dhe rruga e vetme tregon modeli nga Teherani është destabilizimi dhe silurimi i Oksidentit. Aty ku është pushtetit (si tek mullahët e Iranit), ai mbahet duke shtypur protestat e duke kërcënuar pandërprerë qytetërimet e tjera, kurse aty ku nuk është e ku është konfirmuar rishtas se nuk do të jetë edhe për katër vitet e ardhshme, destabilizimi bëhet duke kombinuar izolimin ndaj faktorëve perëndimorë me organizimin e protestave e destabilizimin e institucioneve. Gjithçka lexohet si duhet, megjithë psikologjinë prej struci të Edvinit, i cili zbaton pikë për pikë alternativat fondamentaliste të Edvinit, por hedh në eter alibinë e ngjashmërisë së tij me opozitën e kësaj alternative.
...